Postuar: Janar 10, 2025 | 13:39
Pablo Gavi (20 vjeç) edhe një herë shkëlqeu me gjithë magjinë e tij në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës ndaj Bilbaos të fituar 2-0 nga Barcelona.Mesfushori e nisi që nga minuta e parë dhe u bë një nga arkitektët e fitores së katalanasve, duke shënuar golin e parë dhe duke dhënë pasimin vendimtar për golin e dytë të firmosur nga Lamin Jamal. Pa dyshim ajo ndaj Bilbaos ishte paraqitja e tij më e mirë që nga rikthimi në fushë nga dëmtimi i rëndë i gjurit. Në përfundim të ndeshjes, Gavi foli dhe konfirmoi se golin e tij ia dedikoi Dani Olmos pasi mësoi se mesfushori mori sërish dritën jeshile për të luajtur me blaugranat.
“Kam bërë disa festime, por një prej tyre e kam bërë për Dani Olmon. Ai e di që është shumë i rëndësishëm për ne dhe do të jetë aty në finale. I kam thënë edhe më parë se do ta bëja nëse shënoja dhe e mbajta fjalën. Si Dani ashtu edhe Pau janë lojtarë që na ndihmojnë shumë dhe ne të gjithë jemi të lumtur sepse ata do të mund të luajnë tani”, tha Gavi. Superkupa e Spanjës është një kompeticion i dashur për Gavin, i cili edhe në vitin 2023 ishte protagonist absolut në atë fitore kundër Realit të Madridit, ku arriti të shënonte një gol dhe të jepte një pasim vendimtar. Pikërisht, ai gol kundër Realit të Madridit në vitin 2023 ishte i fundit për të me Barcelonën, sepse më tej do të vinte dëmtimi që e mbajti jashtë fushave për një periudhë shumë të gjatë që e bëri të humbiste dhe Europianin. Lidhur me paraqitjen e tij të shkëlqyer personale, Gavi deklaroi se ishte i kënaqur dhe shumë i lumtur për fitoren e ekipit.
“Jam i kënaqur me paraqitjen time, nuk mund ta fsheh. Por jam më i lumtur që kemi siguruar nj vend në finale. Unë pata fatin që shënova golin e parë dhe dhashë pasimin për golin e dytë. Por në fund ajo që ka rëndësi është se ne jemi në finale dhe ne duhet ta fitojmë atë. Kemi bërë rrugë të gjatë, jemi këtu në Arabi dhe nuk duam të kthehemi duarbosh nga finalja”, deklaroi mesfushori.
Talenti i Barcelonës pranoi gjithashtu se po përmirësohet shumë individualisht, duke u ndier më mirë pas dëmtimit që e mbajti gati një vit larg fushave. Nga ana tjetër ai siguroi tifozët e Barcelonës për problemet e tij fizike përpara se të zëvendësohej, duke zbuluar se ishte një shqetësim i vogël dhe kaq, por asgjë serioze që ta pengojë atë të jetë gati për finalen e së dielës.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL