Me vite të tëra salla Partizani në Çair po qëndron e demoluar dhe e pa përdorshme.
Së fundmi aty kishte edhe mbeturina të cilat hidheshin nga persona të panjohur.
Tani mbeturinat janë hequr, pasi siç thotë Kryetari i Çairit, Visar Ganiu, punimet për ta riparuar sallën kanë nisur. Ganiu thotë se mjetet financiare janë ndarë nga Qeveria dhe Ministria e Sportit, ku projekti gjithsej me TVSH do të kushtojë 100 milionë denarë.
“Kjo është faza e parë që është punuar dhe diku 170 kub mbeturina janë larguar nga ky objekt. Kështu që në këtë fazë janë ndarë mjete nga buxheti i Qeverisë për vitin që e lamë pas, 25 milionë denarë me tvsh dhe në dy vitet e ardhshme do të ndahen edhe nga 37 milionë denarë, d.m.th njëlloj nga Ministria e Sportit që është nën ombrellën e Qeverisë”, tha Visar Ganiu – Kryetar i Komunës së Çairit.
Derisa ishim aty, punime nuk kishte për shkak festës, por Ganiu tha se ditëve tjera punohet intensivisht dhe pritet që në më pak se 2 vjet salla të jetë gati.
“Kontraktuesi ka kontratë që duhet t’i mbaron punimet për 24 muaj, por nga ata kemi marrë premtim që do t’i mbarojnë shumë më herët për shkak se punohet me intensitet dhe kështu që presim në afat prej 12 deri 15 muaj të përfundojnë të gjitha punimet në këtë palestër sportive”, u shpreh kryetar i Komunës së Çairi, Visar Ganiu.
Ndryshe para disa ditëve bashkë me Ganiun këtë sallë e vizituan ministri i Sportit, Borko Ristevski dhe zëvendësministrja Safije Sadiki Shahini.(Tv21)