
Vlahoviç, Kopmeiners dhe Duglas Luiz janë tri nga investimet më të mëdha që Juventusi ka bërë në vitet e fundit, por për arsye të ndryshme, mbeten poshtë pritshmërive të klubit. Dhe tani, shifrat e tyre, bllokojnë merkaton e janarit.
SHIFRAT- Vlahoviç 83.5 milionë euro, Kopmeiners 54.7 dhe Duglas Luiz 51.5 çojnë në një total prej pothuajse 190 milionë eurosh. Ata janë 3 nga 10 lojtarët më të shtrenjtë të historisë së Juventusit dhe që janë blere të gjithë në 3 vitet e fundit. Në mënyrën e tyre, të tre po bëjnë një rrugëtim jashtë pritshmërive.
Megjithatë, problemet janë të shumta, pasi përveç rendimentit në fushë, kanë “zbrazur” arkat e “Zonjës së Vjetër” për të investuar në merkaton e janarit dhe për të ndihmuar Xhuntolin të ndërtojë një Juventus më konkurrues. Tashmë, sidomos pas humbjes ndaj Milanit dhe me merkaton e janarit hapur, durimi i drejtuesve dhe trajnerit ka humbur totalisht.
VLAHOVIÇ- Çdo histori natyrisht që është e ndryshme. Ajo e Dushan Vlahoviçit, ndryshe nga dy të tjerët, ka nisur si diçka e madhe. Gol në debutimin e tij në kampionat kundër Veronës, më pas gol në Ligën e Kampioneve ndaj Vijarrealit dhe deri më tani ka shënuar në total 53 gola në 124 ndeshje me Juventusin. Forma dhe rritja e tij si talenti i blerë nga Fiorentina në fakt kanë mbetur vetëm në letra. Nuk është shumë i qartë përpara portës dhe nëse nuk konkretizon një nga rastet e para, atëherë hyn në një gjendje që e penalizon për gjatë gjithë ndeshjes.
Në këtë sezon, vështirësitë e tij janë të qarta, madje edhe më shumë se në të shkuarën. Ka realizuar 3 gola gjatë zhvillimit të aksionit në Serinë A dhe godet në portë 1 herë në çdo 3 tentativa. Është lojtari i 181 në renditje në kampionat për raportin goditje gol, si dhe është lojtari më i dobët te Juventusi për pasime të sakta (67.6%). Gjithashtu e ardhmja e tij është ende e paqartë, duke bërë që drejtuesit të kenë edhe pasiguri në lidhje me të.
DUGLAS LUIZ DHE KOPMEINERS- Diskurs tjetër në lidhje me dy afrimet e verës, Kompeiners dhe Duglas Luiz. Holandezi dhe braziliani e kanë nisur aventurën e tyre mes vështirësive në verë për të gjetur kushtet e duhura fizike, si dhe nuk i ka ndihmuar kalimi nga “zona e tyre e komfortit” te një skuadër me shumë presion si Juventusi që ka shumë pritshmëri. Pritshmëri të mëdha që deri më tani nuk janë justifikuar në asnjë moment, madje duken si dy dështime.
Kopmeiners ka shënuar 2 gola dhe 3 asist në 1627 minuta të luajtura dhe nuk ka qenë kurrë vendimtar si planifikohej në verë. Duglas Luiz nga ana tjetër është thjesht një “dush i ftohtë” për Xhuntolin dhe një “dhimbje koke” për Tiago Motën. I ngadaltë, i paqartë dhe me vetëm 2 ndeshje si titullar. Ai nuk ka qenë kurrë në qendër të skuadrës së zgjedhur nga Tiago Mota sa i përket rëndësisë, e madje nuk është treguar në asnjë moment vendimtar. Për këtë arsye, të tre këta lojtarë për Juventusin më shumë sesa zgjidhje, shihen si 190 milionë euro probleme.
Përgatiti: OREST FLOKU – PANORAMASPORT.AL
