Postuar: Janar 6, 2025 | 8:21
Jordi Jaku me shumë mundësi do të jetë shitja e Tiranës në këtë merkato janari. Bardheblutë janë duke u marrë vesh me klubin italian të Bolonjës që të transferojnë lojtarin përtej Adriatikut.
Prej kohësh po diskutohet një kalim i mesfushorit, ndërsa diskutimet janë te detajet. Bolonjezët kanë bërë një ofertë dhe presin fjalën e bardhebluve. Për t’u parë se kur do të bëhet marrëveshja mes palëve. Në fakt, Jaku u aktivizua titullar në takimet e fundit me bardheblutë.
Jaku është një nga lojtarët me objektiv shitjen. Futbollisti ka vlerën 200 mijë euro dhe është vetëm 18 vjeç. Ka dy sezone te bardheblutë, duke u aktivizuar 473 minuta në 15 takime. Luan si mesfushor i avancuar dhe me parë ka qenë pjesë e Dinamos.
JONUZI – Klubi i Tiranës zyrtarizoi në ditën e fundit të vitit 2024, ndërprerjen e kontratës me mesfushorin Fjoart Jonuzi. Lojtari në këtë edicion të dytë me bardheblutë nuk po përshtatej dhe palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të ndërprerë bashkëpunimin. Lojtari ka marrë 20 mijë euro dhe ka prishur kontratën që përfundonte në verë, ndërsa bardheblutë fituan, teksa nuk paguajnë 6-8 mijë euro rrogë në muaj.
“Klubi i Futbollit Tirana njofton ndërprerjen e kontratës me lojtarin Fjoart Jonuzi. Palët kanë ndërprerë me konsensus bashkëpunimin. Falënderojmë Fjoart Jonuzin për kontributin e tij dhe i urojmë suksese në të ardhmen e tij”, shkruhej në njoftimin e Tiranës.
Largimi i Jonuzit nga bardheblutë ishte i paralajmëruar prej kohësh ndaj për mesfushorin kanë shfaqur interes klube pretendente të Superiores, që e shohin si një element shumë të rëndësishëm për t’ia shtuar radhëve të tyre. Jonuzi tashmë pritet të vijojë karrierën te Ballkani, që drejtohet nga Orges Shehi.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL