Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka bërë të ditur se sot ka dorëzuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër një vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Sipas Sallahun, ky vendim është nxjerrë në shkelje të plotë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Ai theksoi se nuk ka asnjë dispozitë ligjore që i jep të drejtë kryesuesit të KQZ-së të nxjerrë vendim pa u votuar ose pajtuar me konsensus me anëtarët e KQZ-së. Sallahu shtoi se ky vendim është marrë pa mbështetje ligjore dhe procedurale, duke i pamundësuar anëtarëve të KQZ-së të ushtrojnë të drejtën e votimit.
Zëvendësministri kritikoi gjithashtu nxitimin për të certifikuar Listën Serbe, duke e quajtur këtë veprim të papranueshëm dhe një uzurpim të kompetencave të anëtarëve të KQZ-së që përfaqësojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE. Ai e konsideroi këtë veprim si një akt që rrezikon sigurinë nacionale për shkak të mbështetjes së veprimeve terroriste nga një parti e caktuar.