Tire Alldervishi, ish-sanitarja e spitalit të Senatoriumit në Tiranë, do të lerë qelinë ku vuante dënimin prej 4 vitesh burg, duke u liruar 11 muaj përpara se të plotësonte dënimin e plotë. Gjykata e kishte dënuar Tire Alldervishin për veprën penale të “Mashtrimit”. Ekzekutimi i këtij dënimi fillon ditën e ndalimit të saj, kryer në datën 12.01.2021, për llogari të këtij proçedimi penal.
Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, Gjykata urdhëron pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, për pjesën e mbetur të pavuajtur të këtij dënimi penal (konkretisht prej 11 muaj), dhe vënien e të pandehurës, në provë për një periudhë prej 22 muajsh, me kusht që gjatë kohës së provës, e pandehura të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.
Në aplikim të nenit 60/9 të K.Penal, urdhërohet e pandehura, të mos shoqërohet me persona të dënuar. Në zbatim të nenit 61 i K. Penal, e pandehura detyrohet të mbajë kontakte të vazhdueshme dhe sistematike me Zyrën e Shërbimit të Provës, duke zbatuar kushtet dhe detyrimet e caktuara nga Gjykata.
Në zbatim të nenit 61 të Kodit Penal, e pandehura detyrohet të marrë pëlqimin e zyrës së shërbimit të provës për ndryshimin e vendbanimit, për lëvizjet jashtë vendit, si dhe ato të shpeshta brenda vendit. Afati i provës fillon nga e nesërmja që ky vendim të marrë formë të prerë.
Tire Alldervishi paraqitej si infermiere dhe i mori 8 milionë lekë të vjetra familjares së një pacienteje të infektuar me koronavirus. Alldervishi i merrte paratë në këmbim të shërbimitimit që do t’i bënte të sëmurës.