December 29, 2024
REDAKT.Qyteti-i-Shkupit-zero-transparence-me-konkurset.jpg


Ndërsa sa i takon publikimeve të tjera, rezultate të konkurseve, apo të shpalljeve Qyteti i Shkupit jo vetëm që nuk vë në dispozicion asnjë material, por ka fshirë edhe një pjesë të mirë të materialeve të arkivuara. Festivali për fëmijë “Ylberi”, është një nga pjesëmarrësit në këtë konkurs që jo vetëm nuk përfitoi asnjë qindarkë nga Qyteti për edicionin e 25-të, por as edhe një arsyetim për refuzimin e bërë

Evis HALILI

Shkup, 26 dhjetor – Kanë kaluar disa muaj nga përfundimi i konkursit vjetor për mbështetjen e manifestimeve kulturore, por Qyteti i Shkupit s’ka publikuar asnjë rezultat për projektet e miratuara. Cilat janë manifestimet që janë zhvilluar, kush janë fituesit dhe sa është shuma që përfitojnë ata? Po t’i referohesh faqes zyrtare figuron i publikuar vetëm dokumenti i publikuar “për ndarjen e mjeteve financuare për programe, projekte dhe aktivitete nga sfera e kulturës me interes për Qytetin e Shkupit për vitin 2024”. Ndërsa sa i takon publikimeve të tjera, rezultate të konkurseve, apo të shpalljeve Qyteti i Shkupit jo vetëm që nuk vë në dispozicion asnjë material, por ka fshirë edhe një pjesë të mirë të materialeve të arkivuara. Festivali për fëmijë “Ylberi”, është një nga pjesëmarrësit në këtë konkurs që jo vetëm nuk përfitoi asnjë qindarkë nga Qyteti për edicionin e 25-të, por as edhe një arsyetim për refuzimin e bërë. Drejtori Adem Imeri pohon se pas insistimit për disa muaj me radhë nga Qyteti i Shkupit i janë përgjigjur shkurt “se nuk janë mbështetur financiarisht” vetëm pak ditë përpara fillimit të festivalit.

“Shpresuam deri në ditët e fundit, se ashtu edhe kishim disa informacione se manifestimi ynë është mbështetur, por s’e dimë se ç’ndodhi më tej”, thotë Imeri. Çfarë i penalizoi dhe pse nuk përfituan asgjë nuk është e qartë.

“Dyshojmë që vetë kryetarja e Qytetit ka intervenuar që të mos përkrahet festivali që mbahet pa ndërprerje prej 25 vjetësh, që nga viti 2000,2001. Jam i vetëdijshëm pse anashkalohemi, sepse kryetarja nuk e duron kritikën publike që i bëj në media për përkrahjen e vogël që kanë pas dhënë. Më brengos më shumë se edhe pas informimit që i bërë disa funksionarëve shqiptarë që janë në pozita, nuk patën interes për të analizojnë këtë situatë edhe të marrin masa”, thotë Imeri. Gjithsesi, edicioni i këtij festivali u realizua me pjesëmarrjen e 200 fëmijëve, me një sërë pikash muzikore, baleti, këndimi e vallëzimi.

“Por edhe nga Komuna e Çairit ende nuk kam përgjigje direkte ose indirekte për mbështetjen financiare. Unë vërtet shpresoj që do të zgjohen disa njerëz që janë në pozita institucionale, e kam fjalën për shqiptarët. Nga pala tjetër nuk kam pritur dhe nuk pres, qëllimet e tyre janë moti të qarta. Shqiptarët janë të shtypur në lloj-lloj mënyrash veçanërisht financiarisht, a këtu nëpër komisione kanë piunat, të cilat janë ushtarët e partive dhe i mbrojnë interesat e tyre, projektet e kështu me radhë”, thotë Imeri. Festivali i këngës për fëmijë “Ylberi” ka krijuar një traditë të veçantë për të spikatur dhe nxitur talentet në muzikë. Kriteret e vendosura nga vetë Qyteti i Shkupit për mbështetjen e aktiviteteve kulturore, në rastin e Ylberit jo vetëm që plotësohen, por edhe mbledhin kuotat maksimale të vlerësimit me pikë. Kjo nuk është hera e parë që Qyteti i Shkupit ndan një pjesë shumë të vogël nga buxheti i taksapaguesve për të mbështetur projekte që janë në interes të kulturës shqiptare. Për të gjitha “PSE”-të Qyteti i Shkupit nuk e pa të arsyeshme t’i përgjigjej as pyetjeve të drejtuara nga redaksia e gazetës KOHA.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *