“Në natën e Vitit të Ri, mund të themi se e kalojmë çdo sekondë duke punuar, pasi kemi shumë pacientë, sidomos pas orës 12 të natës. Mund të them se shumica janë të rinj, të cilët përfundojnë në spital dhe nuk e kontrollojnë veten sa duhet duke konsumuar alkool dhe ushqime tjera, çka mund të sjellë rrezikshmëri për jetën e tyre, siç janë helmimet”, tregon dr. Drita, ndërsa apelon për kujdes të madh në mënyrën si konsumojnë alkoolin, pasi pasojat mund të jenë të rënda
Albina REKA
Shkup, 26 dhjetor – Nata e Vitit të Ri është mbrëmje ku shumë njerëz vendosin të pinë alkool, por ndonëse disa njerëz vendosin të pinë me përgjegjësi, ka shumë tjerë të cilët pinë pa karar. Konsumimi pa kontroll i alkoolit e rrit rrezikun e dhunës – personat e dehur janë gjithashtu më të prirë të kenë lëndime dhe të shkojnë në spital sesa ata esëll. Në periudhë afatgjate, konsumimi i tepërt i alkoolit shpeshherë është ndërlidhur me një numër të madh të problemeve shëndetësore, rrjedhimisht ka kosto të dukshme shëndetësore, ekonomike dhe emocionale. Parandalimi i intoksikimit me alkool gjatë natës së Vitit të Ri është gjë e rëndësishme për shëndetin e individit, por edhe për të afërmit e atij personi. Dhe, ndërkohë që të tjerët festojnë dhe argëtohen, mjekët janë ata që kujdestarojnë dhe kujdesen për të tjerët. Këtë e konfirmon edhe dr. Drita Aliu, e cila thotë se në të shumtën e rasteve, festat e veçanërisht natën e ndërrimit të motmoteve, mjekët e kalojnë në ordinanca e klinika.
“Në natën e Vitit të Ri, mund të themi se e kalojmë çdo sekondë duke punuar, pasi kemi shumë pacientë, sidomos pas orës 12 të natës. Mund të them se shumica janë të rinj, të cilët përfundojnë në spital dhe nuk e kontrollojnë veten sa duhet duke konsumuar alkool dhe ushqime tjera, çka mund të sjellë rrezikshmëri për jetën e tyre, siç janë helmimet”, tregon dr. Drita, ndërsa apelon për kujdes të madh në mënyrën si konsumojnë alkoolin, pasi pasojat mund të jenë të rënda. “Kujdesi dhe përgjegjësia janë jetike, jo vetëm për ta, por edhe për ata që i rrethojnë”, thotë ajo.
Njëktë sikurse vitet e kaluara, edhe këtë vit, Shtëpia e Shëndetit në Shkup u bën thirrje qytetarëve të kenë kujdes me konsumimin e alkoolit dhe të përmbahen nga përdorimi i mjeteve piroteknike gjatë pritjes së Vitit të Ri 2024. Nga atje kanë shfaqur shpresë për respektim shembullor dhe përmbajtje të rekomandimeve, me qëllim që festat e fundvitit të jenë të këndshme dhe të hareshëm për të gjithë.
“Në çdo festë, e veçanërisht gjatë natës së Vitit të Ri, është e rëndësishme të kujdesemi për shëndetin tonë. Shpesh, gjatë këtyre festave, ndodh që shumë njerëz të teprojnë me ushqimin dhe alkoolin, duke i shndërruar ato në pjesë të domosdoshme të festës. Megjithatë, duhet të kuptojmë se teprimi mund të sjellë pasoja serioze për trupin tonë, si ndotje të organizmit, probleme me tretjen dhe dehidratim. Është e rëndësishme që, si çdo ditë tjetër, të ruajmë kontroll mbi atë që hamë dhe pimë. Edhe pse mund të duket si një moment festimi dhe shpërthimi, kujdesi ndaj vetes është i domosdoshëm. Kjo nuk do të thotë të mos festojmë, por të gjejmë një balancë dhe të kemi parasysh se shëndeti është prioriteti kryesor. Kështu që, përveç gëzimit të festës, duhet të kujdesemi për konsumimin e ushqimit dhe alkoolit, duke mos e tepruar dhe duke ruajtur shëndetin tonë të mirë”, thonë nga Shtëpia e Shëndetit në Shkup. (koha.mk)