Në raport thuhet gjithashtu se nga analizat dhe të dhënat e marra nga Avokati i Popullit, mund të konkludohet se kur qytetarët i drejtohen institucionit kompetent për mbrojtje dhe kur atyre u kërkohet më shumë informacione për të vepruar konkretisht, duket se ka njëfarë skepticizmi dhe tërheqje nga denoncuesi
Besa IBRAIMI
Shkup, 26 dhjetor – Numri i vogël i denoncuesve në vend është për shkak të mosbesimit në institucione dhe hakmarrje ende mbetet arsyeja më e madhe për frenimin e denoncuesve. Këtë e tregon raporti i fundit i Transparency International i titulluar “Sa mirë vendet e Ballkanit Perëndimor i mbrojnë denoncuesit”. Sipas të dhënave të marra nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, me miratimin e Ligjit për mbrojtjen e denoncuesve, atyre ju janë dorëzuar vetëm tri kërkesa për mbrojtje. “Denoncuesit kërkuan mbrojtje pasi Antikorrupsioni filloi procedurën për konstatimin e gjendjes faktike ndërsa institucioni i lajmëruar pas marrjes së njoftimit – kupton që dikush ka denoncuar diçka dhe fillon të kërkojë të ashtuquajturin “ndërhyrës” që ka raportuar parregullsitë”, thuhet në raportin e Transparency International.
Raporti tregon gjithashtu se, edhe pse numri i kërkesave për mbrojtje është i ulët, Komisioni për Antikorrupsion mbetet institucioni i vetëm që ka zbatuar masa për mbrojtjen e denoncuesve.
“Të dhënat nga Zyra e Avokatit të Popullit thonë se mbrojtja është e ulët, por qytetarët kanë besim në këtë institucion. Në vitin 2022, tek Avokati i Popullit janë dorëzuar dy kërkesa për mbrojtje, njëra nga një shtetas anonim i punësuar në një institucion shtetëror, dhe e dyta është një kallëzim nga një person i cili drejtpërdrejt është drejtuar dhe ka kërkuar mbrojtje për ngjarje konkrete. Në vitin 2023, tek Avokati i Popullit janë dorëzuar dy kërkesa për mbrojtje nga raportet e jashtme nga persona të njohur, të cilat Enti Shtetëror i Revizionit i ka paraqitur me arsyetimin se nuk janë të autorizuar të veprojnë sipas kërkesave të tilla”, thonë nga Transparency.
Në raport thuhet gjithashtu se nga analizat dhe të dhënat e marra nga Avokati i Popullit, mund të konkludohet se kur qytetarët i drejtohen institucionit kompetent për mbrojtje dhe kur atyre u kërkohet më shumë informacione për të vepruar konkretisht, duket se ka njëfarë skepticizmi dhe tërheqje nga denoncuesi.
“Shpeshherë raportet janë anonime, me gjasë për shkak të mungesës së besimit në institucionet përgjegjëse për fillimin e llogaridhënies dhe vendosjes së sanksioneve. Një arsye shumë e zakonshme për numrin e vogël të denoncuesve është frika nga hakmarrja e punëdhënësit dhe frika e humbjes së punës. Si shoqëri, ende na mungon pjekuria kolektive për të kuptuar se ne duhet të udhëheqim luftën për të siguruar të drejtat tona dhe për të kundërshtuar keq bërjen. Megjithatë, kjo është një temë që kërkon analizë të mëtejshme. Gjithashtu u dëshmua se ka ende informacion dhe ndërgjegjësim të pamjaftueshëm të qytetarëve për konceptin e denoncuesit dhe rolin e tyre. Institucionet kompetente që ofrojnë mbrojtje sipas ligjit për denoncuesit duhet të jenë ato që promovojnë masat mbrojtëse dhe konceptin e denoncimit. Ata duhet të koordinohen mes tyre për të zbatuar me sukses sistemin e mbrojtjes së denoncuesit”, thuhet në raport.
Transparency porosit institucionet përgjegjëse që të punojnë së bashku dhe të promovojnë Ligjin për Mbrojtjen e Denoncuesve, por edhe të informojnë publikun për suksesin e rezultateve dhe të dëshmojnë se sistemi i mbrojtjes në vend funksionon me efikasitet. Sipas tyre, Qeveria dhe Ministria e Financave duhet të ofrojnë më shumë burime për promovimin e sistemit të mbrojtjes së denoncuesve dhe rritjen e kapaciteteve njerëzore për të arritur rezultate më të mira. (koha.mk)