December 26, 2024
1111REDAKT.Huaja-hungareze-gati-ne-shkurt.jpg


Biznesi përsërit se ka nevojë për mbështetje dhe kërkon që “fondet të përdoren për projekte të mira”, pavarësisht aktiviteteve që kryejnë. Në të njëjtën kohë, theksojnë ata, fokusi duhet të jetë tek kompanitë prodhuese. Sa më shpejt paratë të vihen në dispozicion, aq më mirë, thonë edhe ekonomistët

Ersan PAJAZITI

Shkup, 25 dhjetor – Kompanitë me siguri do të mund të përdorin fondet nga kredia hungareze nga shkurti i vitit të ardhshëm, parashikojnë bankat. Akoma nuk i kanë marrë kontratat nga Banka Zhvillimore, por sigurojnë se nënshkrimi do të shkojë shpejt. Tashmë janë duke biseduar me klientët për projektet dhe vlerësojnë se asnjë biznes, madje as një qendër tregtare (mall), nuk duhet të përjashtohet nga kreditimi nëse rezulton fitimprurës dhe nëse i jep vlera shtesë ekonomisë. Biznesi përsërit se ka nevojë për mbështetje dhe kërkon që “fondet të përdoren për projekte të mira”, pavarësisht aktiviteteve që kryejnë. Në të njëjtën kohë, theksojnë ata, fokusi duhet të jetë tek kompanitë prodhuese. Sa më shpejt paratë të vihen në dispozicion, aq më mirë, thonë edhe ekonomistët.

Bankat në kredinë hungareze shohin një situatë “win-win” dhe thonë se rregullatori monetar duhet të përfshihet në mekanizmat për të ofruar lehtësim për bankat që kanë rrezik kredie.

“Presim që linja e kredisë të bëhet e aplikueshme pas pushimeve të Vitit të Ri. Ka një angazhim si nga Qeveria ashtu edhe nga bankat për ta përshpejtuar këtë proces. Janari ka shumë ditë jo pune, kështu që gjithsesi do ta lija për në shkurt, megjithëse të gjithë do të punojmë për t’ia dalë në janar. Tashmë ka një marrëveshje mes Qeverisë dhe bankave, në të cilat kushte do të vendoset linja e kredisë hungareze. Tani duhet të kalojë një periudhë administrative gjatë së cilës do të përgatitet procedura dhe procedura është: kushtet janë përcaktuar në detaje nga Banka Zhvillimore dhe ato kontrata duhet të arrijnë në banka ku do të nënshkruhen zyrtarisht. Që nga ai moment, kompanitë do të mund të hyjnë në banka për të aplikuar për kredi. Nga komunikimi me përfaqësuesit e Qeverisë tashmë janë duke u finalizuar detajet, kontratat, kushtet etj… Dihet afërsisht se për cilat kompani do të aplikohen kreditë, por ka shumë aktivitete dhe do të duhet të specifikojmë saktësisht që të mos ketë konfuzione se cili projekt është i aplikueshëm, e kush jo”, tha për media Nina Nedanoska nga “Sparkase Bank”, ndërsa ka sqaruar se kjo është biseduar edhe në takimin e bankierëve me sektorin e biznesit.

Miratimi i kontratave, shton ajo, fillimisht shkon në bordet mbikëqyrëse të bankave.

“Bankat janë të përkushtuara për ta përfunduar atë proces shumë shpejt. Këto janë afate të shkurtra, në të cilat ne do të marrim miratimin dhe do të vazhdojmë me nënshkrimin. Tashmë po flasim me klientët, nuk presim të vijnë të nënshkruajnë kontratat. Por nga momenti kur kompanitë aplikojnë do të duhet të kalojë një periudhë e caktuar derisa bankat t’i trajtojnë kërkesat për kredi dhe të bëjnë analizat”, shpjegoi Nedanoska.

Në ndërkohë, sipas nënkryetarit të Bashkimit të Odave Ekonomike, Goran Gjorgjievski, “akulli është thyer” dhe në fund kompanitë kanë një afat pagese 15-vjeçare, që është e një rëndësie thelbësore.

“Kompanitë prodhuese janë thelbësore në shoqërinë tonë, ato sjellin vlerë të shtuar dhe duhet t’u jepet kredi. Është thyer akulli, më në fund kemi një afat pagese 15-vjeçare, që ka një rëndësi thelbësore. Tre vjet periudhë mospagimi, potencialisht 12 vite të tjera afat pagese, që do të thotë se ato këste më të vogla që do të marrin, kompanitë do të mund të përdorin pjesën tjetër të fondeve në likuiditetin e tyre ose të investojnë shtesë në vetë kompanitë, sepse çdo fitim biznesmeni i mirë e riinveston. Baza ekzistuese për financa do të zgjerohet, paratë do të vijnë në banka dhe do të mundësohet zhvillim më i gjerë i kompanive”, theksoi Gjorgjievski. Fondet, shtoi ai, janë të mirëseardhura për të vazhduar rritjen ekonomike sepse kompanitë janë rraskapitur. “Hapësira për rritje prej 5 deri në 6 për qind që kërkon Qeveria si synim ambicioz, është te ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Kjo është baza që duhet të synohet për të pasur një rritje më serioze ekonomike”, theksoi Gjorgjievski.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Mendi Qyra e përshëndet uljen e kamatës së kredive për kompanitë.

“Si komunitet biznesi kërkojmë që fondet të përdoren për projekte të mira, pavarësisht se për çfarë aktiviteti bëhet fjalë. Ne duam që ata të fokusohen në prodhim, por edhe të përdorin aktivitete të tjera që kanë projekte të mira. Vetëm njoftimi i 250 milionë eurove për biznesin e bën të qartë se bankat duhet të ulin normat e interesit, të cilat deri më tani kanë qenë shumë të larta. Pra, vetë njoftimi jep një drejtim pozitiv sepse normat ishin 5, 6 dhe 7 për qind, më të lartat në këto vite”, tha Qyra.

Ekspertët ekonomik ndërkohë besojnë se nga i gjithë ky proces do të përfitojnë të gjitha palët e interesuara, veçanërisht Qeveria dhe bankat. Nga ana tjetër, ekonomia do të marrë, siç thonë ata, një kontigjent të ndryshëm mjetesh likuide. “Të dyja palët mund të dalin fituese. Bankat marrin aplikantë të rinj për kredi nga të gjitha degët që mund të sjellin rritje 3.7 për qind. Ndryshe nuk mund të shikojmë në mënyrë të njëanshme, vetëm te fitimi i bizneseve. Duhet t’i shikojmë edhe bankat, sepse edhe ato mund të vihen në një situatë që të kenë presion sepse kanë rrezik kredie”, thekson profesor Neritan Turkeshi. Sipas tij, secila kompani mund të zgjedhë se nga cila bankë dëshiron të marrë kredi, por secila bankë mund të vendosë edhe projektin e kujt do ta vlerësojë. Përfitimin profesor Turkeshi sheh në faktin se çdo kompani punëson qytetarë që kanë familje dhe prandaj është e rëndësishme, siç tha ai, që kompania të jetë fitimprurëse. Kur çdo kompani ec përpara, sipas Turkeshit, të gjithë përfitojnë.

Për kredinë hungareze, Parlamenti miratoi ligjin e posaçëm më 17 shtator, i cili pasoi me nënshkrimin e marrëveshjes mes ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska dhe përfaqësuesve të Bankës Hungareze të Eksport-Importit më 8 tetor në Budapest. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *