Postuar: Dhjetor 25, 2024 | 12:17
Nuk është më një sekret që Juventusi pritet të jetë skuadra që do të futet më fuqishëm në merkaton e janarit për të plotësuar hapësirat boshe.
Mbrojtja është reparti ku Xhuntoli kërkon të hidhet në sulm sa më parë, por gjithashtu edhe një zëvendësues i Vlahoviçit, aty ku preferohet Zirkze. Por në një situatë ku Xhuntoli është i detyruar që veç investimeve, të ruajë edhe balancat e klubit, nga do të vinë të ardhurat e “Zonjës së Vjetër” në merkato?
Alternativat janë tre. Alternativa e parë dhe më e thjeshta, është ajo që Juventusi t’i afrojë lojtarët e rinj në formë huazimi. Alternativa tjetër është ajo që të bëjë marrëveshje, ku pagesat të bëhen sezonin tjetër, ndërsa alternativa e fundit lidhet me lojtarët që mund të sakrifikohen.
TË SAKRIFIKUESHMIT- Emri kryesor që mund të sakrifikohet te Juventusi është padyshim Nikolo Faxholi. Ky i fundit e ka humbur besimin e Motës, dhe Xhuntoli po shqyrton mundësinë që të “nxjerrë” prej tij të paktën 25 milionë euro. Për të ka interes nga Anglia ku Kristal Palas, Uest Ham dhe Fulham, kanë nisur garën për ta blerë. Gjithashtu për të interesohet edhe Marseja e De Zerbit. Megjithatë, veç Faxholit, ka edhe një tjetër emër surprizë që mund të sakrifikohet te Juventusi. Bëhet fjalë për Samuel Mbangula i cili mund të sjellë disa milionë të tjerë në arkat e “Zonjës së Vjetër”.
PANORAMASPORT.AL