Gjatë ditës së sotme Qeveria e Kosovës ka lansuar sot pilotimin e Programit të Kuponëve, në kuadër të Projektit “Edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme për kapitalin njerëzor të Kosovës”.
Në fjalën e tij Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se familjet përfituese të programit do të mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhet e licencuara, ku programi do ta mbulojë pagesën për çerdhe dhe transporte.
“Ky projekt i madh po fillon me pilotimin e programit të kuponëve i cili synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejt për familjet të cilat janë të regjistruara në skemën e ndihmës sociale. Konkretisht ai krijon mundësi për përfshirjen e më shumë fëmijëve nga 3-5 vjeç nga këto familje në shërbime të edukimit në moshë të hershme. Familjet përfituese të programit do të mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhet e licencuara, ku programi do ta mbulojë pagesën për çerdhe dhe transporte. Programi financohet nga partneriteti të mësimit të hershëm të Bankës Botërore në shumën prej 1.8 milion euro, bazuar në marrëveshjen e grantit të nënshkruar me Bankën Botërore. Kërkesën zyrtare si Qeveri për këtë projekt e kemi bërë që në dhjetorin e vitit 2022, që nga atëherë ka filluar dizajnimi i tij, ndërsa marrëveshja e finalizuar është nënshkruar më 28 qershor 2024, ndërkaq sot po e fillojmë në praktik”, tha ai.
Kurti tha se përfshirja më e madhe e fëmijëve në edukim, krijon hapësira të shtuara për punësimin dhe zhvillimin profesional të prindërve.
Në anën tjetër Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, theksoi se kjo është një risi për qasje të barabartë për edukimin e hershëm në Kosovë.
“Sot po lansojmë pilotimin e programit të kuponëve, duke hedhur kështu edhe hapin e parë konkret për këtë mbështetje të paprecedentë dhe të pa ndodhur më parë për më të vegjlit tanë, për familjet që më shumti kanë nevojë. Një risi për qasje të barabartë për edukimin e hershëm në Kosovë. Që nga marrja e mandatit, zotimet tona prioritare janë bërë pjesë e programit qeverisës dhe e bashkëpunimit ndërsektorial në të gjitha instancat relevante. Me ritmet intensive të punës, miratuam në Kuvend ligjin për edukimin e hershëm i cili e bën edukimin parashkollor obligativ dhe krijon lehtësime për nënat e reja që të kycen në vendet e punës”, tha Nagavci.