Postuar: Dhjetor 23, 2024 | 9:28
Mikel Arteta është shumë i shqetësuar për dëmtimin në kofshë të Bukajo Sakës , i cili e bëri sulmuesin të largohej nga “Selhurst Park” me paterica të shtunën mbrëma.
Goditja e madhe për Arsenalin vjen mes një programi të ngjeshur ndeshjesh dhe ajo që është shqetësuese për “Topçinjtë”, është dëmtimi i tretë në muskujt e pasëm të kofshës këtë sezon për anësorin. 23- vjeçari pësoi një tërheqje në kofshën e tij të djathtë me kombëtaren kundër Greqisë më 10 tetor, gjë që solli humbjen e ndeshjes së Arsenalit në Premier Ligë kundër Bornmëthit nëntë ditë më vonë. Më pas ai pësoi përsëri të njëjtin dëmtim kundër Çelsit më 10 nëntor.
Saka humbi dy ndeshje të Ligës së Kombeve të UEFA-s për Anglinë, përpara se të kthehej kundër Notingem Forestit më 23 nëntor. Dhe tani, Saka u largua nga fusha kundër Palasit pas 24 minutash, duke shtrënguar kofshën e djathtë me dhimbje të dukshme. Arteta tha: “Ai ndjeu diçka në muskujt e kofshës. Ai nuk mund të vazhdonte. Ai do të duhet të vlerësohet. Jam shumë i shqetësuar për të. Është e vështirë ta bësh këtë vlerësim tani. Ata e kanë testuar atë brenda, por është shumë e vështirë të thuhet se sa e rëndë është”.
Saka, i cili ka shënuar pesë gola dhe dhënë 10 asiste në kampionat, u zëvendësua nga Leandro Trosard në “Selhurst Park”. Arsenali ishte në gjendje të fitonte pavarësisht dëmtimit të Sakës, me skuadrën e Artetës që arriti një fitore 1-5 në derbi falë dopietës së Gabriel Zhezusit, golit të Havercit, Martinelit dhe Rajsit. Tifozët e Arsenalit do të shpresojnë që të mos jetë një përsëritje e dëmtimit të kofshës në tetor.
Gjatë pushimit ndërkombëtar të atij muaji, anësori u detyrua të tërhiqej nga skuadra e Anglisë pasi pësoi dëmtim në ndeshjen e tyre kundër Greqisë. Ai dëmtim e mbajti 23-vjeçarin jashtë fushës për 39 ditë, një periudhë që përfshin humbjen e tyre zhgënjyese 2-0 nga Bornmëthi. Lëndimi i Sakës është një goditje edhe më e madhe duke pasur parasysh se Arsenali humbi Rahim Sterling në stërvitje të premten. Sterling, i cili ka luajtur 11 ndeshje për “Topçinjtë” që kur erdhi nga Çelsi në huazim, do t’i nënshtrohet testeve me ekipin mjekësor të Arsenalit për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.
PANORAMASPORT.AL