Trajneri i Laçit, Françesko Moriero, e ka vlerësuar fitoren e ekipit të tij, si një provë e mirë e lojtarëve të cilët kishin luajtur më pas, por dhanë përgjigjet e duhura përballë Tiranës.
“Në pjesën e parë kishim vështirësi të gjenim distancat. Na u desh të ndërronim pozicionin e lojtarëve dhe modulin. Isha inatosur pak në pushimin e ndeshjes se nuk kishte zbritur në fushë skuadra ime në pjesën e parë. Në pjesën e dytë luajtëm me dy sulmues e një organizator, ndryshoi sjellja në fushë, ku skuadra tregoi që nuk dëshironte të humbte, por të rikuperonte e fitonte.
Kisha përgjigjet që kërkoja nga lojtarët të cilët kohët e fundit po luanin pak dhe nuk ka përgjigje më të mirë se një ndeshje futbolli që të tregojnë qe janë mirë e duan të luajnë futboll. Në pjesën e dytë jemi treguar të aftë, dominuam ndeshjen, duhej të shënonim edhe dy gola të tjerë. Fizikisht bëmë ndeshjen, i vumë poshtë, bëmë shumë mirë si në fazën mbrojtëse, edhe sulmuese. Ky është futbolli që më pëlqen mua, është mentaliteti im, disiplinë taktike por mbi të gjitha intensitet loje.
Objektivi im është që të vendos të luajnë të gjithë lojtarët, duhet pak kohë. Por siç e patë sot, Traore e Bullari ishte kohë që nuk luanin. Dhe dhanë një përgjigje shumë të bukur në fushë, ndaj për mua flet vetëm fusha. Kur të gjithë djemtë të jenë gati, të rinj apo të vjetër, flet fusha. E rëndësishme është të futen në mentalitetin e skuadrës e trajnerit, të luajnë me intensitet të lartë. Kjo është ajo që duhet të bëjnë.
Tresa dhe Kurti janë dy të rinj shumë të rëndësishëm për ne, sepse kanë hyrë në mekanizmat taktike. Por sot kishim alternativa të rëndësishme, Kemi treguar se mund të luajmë me një modul ndryshe loje dhe padyshim në ndeshjet e ardhshëm do të ndryshojmë modul. Por për mua futbolli është shumë i thjeshtë, është disiplinë, duhet zemër e dëshirë për të fituar. Dhe përderisa është kjo, djemtë do të luajnë me mua”, tha Moriero për RTSH pas sfidës.
PANORAMASPORT.AL