Akti Normativ i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave këtë javë, parashikon edhe financimin e rivitalizimit të 6 tregjeve ushqimore në Shkodër, Pukë, Vlorë, Durrës, Divjakë, Gjirokastër.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se me këtë fond, Qeveria shqiptare dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbështesin rivitalizimin e tregjeve tradicionale, të cilat do të shërbejnë për garantimin e tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, rritjen e fuqisë negociuese të fermerëve në çmime, si dhe promovimin e produkteve bujqësore dhe turistike të zonës.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural organizoi thirrje publike si dhe ftoi të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore për pjesëmarrje në konkurim dhe paraqitjen e dokumentacionit, për projektin e rivitalizimit të tregjeve tradicionale.
Bazuar në dokumentacionin e paraqitur dhe në raport me kriteret e përcaktuara nga MBZHR u bë vlerësimi dhe u përzgjodhën 6 projekte.