Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka theksuar se SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet që synojnë destabilizimin dhe është e angazhuar në mbështetje të Kosovës për të garantuar siguri dhe stabilitet.
Kasanof e ka cilësuar si të tmerrshëm sulmin e fundit në Kosovë, duke theksuar se SHBA-ja e ka dënuar atë me fjalët më të forta dhe po e ndihmon qeverinë e Kosovës në hetimin e rastit.
“Po e ndihmojmë Kosovën dhe qeverinë e saj që të kryejnë një hetim të besueshëm, duke vënë në dispozicion burime të rëndësishme. Hetimi duhet të ndjekë faktet në terren dhe të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar drejtësi”, tha Kasanof, për Zërin e Amerikës.
Ai shtoi se aktet e tilla janë të papranueshme dhe synojnë të krijojnë destabilitet, një qëllim që SHBA-ja e refuzon në mënyrën më të fortë.
Duke iu përgjigjur pyetjes për qëndrimet e mundshme të administratës së ardhshme amerikane, Kasanof refuzoi të spekulojë, por theksoi se aktualisht SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj mbështetjes së Kosovës.
“Do të vazhdojmë të ndihmojmë Kosovën, jo vetëm në reformat dhe integrimin euro-atlantik, por edhe në përparimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Kërkojmë nga të dyja palët, Prishtina dhe Beogradi, që të bëjnë përpjekje maksimale për të arritur një zgjidhje të suksesshme,” tha Kasanof.
Mesazhi i zyrtarit amerikan nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor./VOA