September 8, 2025


Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian ka bërë të ditur rezultatet e takimit e së martës mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga i dërguari special i BE-së, Miroslav Lajçak.

Në komunikatë thuhet se pas bisedimeve të gjera të kryesuara nga Lajçaku,  kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ranë dakord në Bruksel për termat e referencës për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur. Kjo, në bazë të Deklaratës për Personat e Zhdukur të miratuar më 2 maj 2023 nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq .

Sipas BE-së, Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Lajçaku, do të jetë përgjegjës për “mbikëqyrjen e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur” dhe do të monitorojë bashkëpunimin e palëve për disa çështje kyçe.

Në njoftim theksohet se Komisioni do të përqendrohet në:

Identifikimin e vendeve të varrezave dhe gërmimet pasuese;

Aksesin në informacione të sakta dhe të besueshme, duke përfshirë dokumentacionin përkatës vendas dhe ndërkombëtar, përdorimin e të dhënave satelitore, teknologjinë LIDAR dhe mjete të tjera të avancuara për zbulimin e varrezave masive;

Si dhe respektimin e të drejtave të familjeve të personave të zhdukur.

Përveç kësaj, Komisioni i Përbashkët do të mbështesë dhe monitorojë bashkëpunimin e Kosovës dhe Serbisë nën Grupin Punues për Personat e Zhdukur, të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK).

Bashkimi Evropian ka përshëndetur dakordësinë mes palëve, duke theksuar se çështja e personave të zhdukur mbetet një “shqetësim humanitar” dhe se “nevojiten përpjekje urgjente për të mbyllur rastet për familjet e prekura dhe komunitetin e gjerë”.

Sipas BE-së, nga 6,065 raste të personave të zhdukur gjatë periudhës 1998-2000, 1,607 mbeten ende të pazgjidhura.

BE-ja vlerëson të dyja palët për angazhimin dhe qasjen e tyre konstruktive, e cila bëri të mundur rezultatin e sotëm.

“BE fton palët të emërojnë përfaqësuesit e tyre për takimin e parë deri në mes të janarit të vitit të ardhshëm”.

Bashkimi Evropian e cilësoi progresin e sotëm si një “hap të rëndësishëm përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën e Normalizimit”.

“Është në dobi të drejtpërdrejtë të njerëzve në Kosovë dhe Serbi. BE-ja u kërkon të dyja palëve që të fillojnë punën e zbatimit të Marrëveshjes në tërësi”, përfundon njoftimi i Shërbimit të Jashtëm të BE-së.

The post Dakordimi për komisionin e përbashkët për të zhdukurit, BE jep detaje për takimin Bislimi – Petkoviq në Bruksel appeared first on KosovaNews.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *