July 6, 2025
301.jpg


“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes Partizani-Elbasani, e zhvilluar ditën e shtunë në stadiumin “Arena e Demave”. Ajo që ra më së shumti në sy ishte pranie tejet e ulët e tifozëve të dy prej qyteteve më me traditë në futboll. Në stadium nuk ishin më shumë sesa 500 të pranishëm, teksa edhe moti nuk i favorizoi.

Tifozët gjejnë hapur portën dhe hyjnë të pozojnë në fushë

Tifozët gjejnë hapur portën dhe hyjnë të pozojnë në fushë

* Reshjet e shiut nisin të dendura disa minuta para fillimit të ndeshjes dhe vijojnë me intensitet tejet të lartë deri në fund të pjesës së parë. Siç dihet, fusha e “Arenës së Demave” është plastike dhe shiu nuk ndikoi në ritmin e lojës.

* Lojtarët e stolave të të dyja ekipeve përdorin batanije për të sfiduar temperaturat e ulëta dhe erën që është e pranishme shpesh në zonën e Tufinës, ku është pozicionuar stadiumi i kuq.

* Tifozët verdheblu shfrytëzojnë pushimin e takimit, për të kënduar kore kundër Tiranës. Një rivalitet me ta, që pasqyrohet dhe në transfertën e tyre për ndeshjen me Partizanin. Armiku i armikut, është miku im. Ky është edhe rasti i tifozëve të Elbasanit dhe Partizanit, që nuk e urrejnë njëratjetrën, por të dyja urrejnë ata të Tiranës.

* Dy sulmues afrikanë fillimisht dhe më pas dy mbrojtës shënuan për sfidën që u mbyll në barazim 2-2. Dy teknikët serbë të Superiores këtë herë ndahen në paqe. Kjo ishte pika e parë e Gvozdenoviç me verdheblutë.

* Partizani tashmë numëron katër ndeshje pa fitore duke pasur ecurinë më të keqe me Veselinoviç si trajner, ndërsa Elbasani njeh vetëm një triumf në 11 javët e fundit të Superiores.

* Me vërshëllimën përfundimtare asnjë nuk shfaq shenjë gëzimi. Lojtarët e dy skuadrave u afrohen tifozërive përkatëse për përshëndetjen e zakonshme. Janjeva, që shënoi një nga golat e Partizanit, merr komplimente në veçanti nga disa tifozë të kuq.

* Presidenti Demi e ndjek sfidën si zakonisht në derën e zyrës së tij, që të nxjerr në tribunën kryesore. Herë pas here ai vendos edhe një karrige për tu rehatuar.

* Në karrierën si futbollist Gvozdenoviç ka qenë nga ata mbrojtës, që kalohej me vështirësi, por dje në të 58-ën një top i ardhur nga fusha i kaloi mes këmbëve. Mesa duket reflekset i ka në rënie e sipër.

* Një tifoz i vogël i shpëton sigurisë dhe me vrap përshkon të gjithë fushën deri afër hyrjes në tunel. Asnjë nga lojtarët nuk e përfill, teksa më pas siguria kujdeset që tifozi i vogël të mos kthehet nga erdhi, por e fut në tunel.

* Ndryshe nga herët e tjera, kur tifozët miq mbahen derisa zbrazet stadiumi, këtë herë lihen të largohen ndërsa ikin dhe ato te Partizanit. Kjo pasi dy tifozëritë kanë marrëdhënie të mira bashkë dhe nuk ka ngacmime mes palëve.

* Pasi sektorët e stadiumit janë boshatisur, porta ku futet ambulanca është e hapur dhe pa sigurim. Disa fëmijë bashkë me disa gra e vajza përfitojnë për t’u futur dhe për të krijuar pak kontent për “Instagram”. Shkrepin disa foto duke përfituar se nga Partizani siç është zakon pas ndeshjes, ndodhen vetëm disa lojtarë, që nuk kanë marrë minuta.

* Me dy traversa të goditura ditën e djeshme, Partizani bëhet rekordmen i goditjes së “kornizave” të portës me plot 9 shtylla a traversa. Me siguri do të kishte më shumë pikë nëse shënjestra do të ishte më e mirë.

* Tri nga mungesat e mëdha të Partizanit, Rrapaj, Hadroj dhe Preka, e ndoqën ndeshjen e së shtunës së bashku në tribunën “VIP”. Rrapaj dhe Hadroj ishin të dëmtuar, ndërsa Preka ka vuajtur një gjendje gripale gjatë ditëve të fundit.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”











Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *