Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2025 do të ketë në fokus shpërblimin mujor për çdo pensionist, i cili vjen në formën e abonesë së përgjithshme falas. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se pas përfundimit të punëve në disa nga asetet kryesore të kryeqytetit, është koha për të qenë më solidarë me ata që i kanë dhënë shumë Tiranës ndër vite.
“Në këtë mandat të tretë është koha për t’u siguruar që mbarojnë të gjitha punët e rëndësishme për qytetin. Por, me buxhetin e ri ne propozojmë një projekt të cilin unë e kam shumë për zemër: aboneja falas për pensionistët e Tiranës, pra për të gjitha gratë mbi 60 vjeç dhe burrat mbi 65 vjeç. Aboneja e përgjithshme kushton 16 mijë lekë të vjetra në muaj. Në total janë 192 mijë lekë. Përveç bonusit që jep qeveria për pensionistët, bashkia jep çdo muaj një 16 mijë lekësh, në formën e abonesë. Pra, transport falas për të gjithë gjyshërit dhe gjyshet tona, për të cilët jemi mirënjohës për sakrificën dhe punën e tyre. Mund të jetë dikush që pyet: “Pse e bëtë tani, pse jo që në fillim?” Sepse nuk i kishim mundësitë në fillim. Trashëguam një Tiranë totalisht të falimentuar. Sot kur kemi bërë pjesën më të madhe të punëve, Tirana e ka mundësinë që të jetë e majtë, solidare dhe mbështetëse për ata që i kanë dhënë më shumë qytetit tonë, që janë pensionistët”, deklaroi Veliaj.