Një akt heroik ka ndodhur në autostradën A1 pranë Romës, ku një polic me origjinë shqiptare jashtë shërbimit shpëtoi një grua të moshuar nga një aksident i rëndë rrugor. Automjeti i saj ishte përmbysur dhe mbuluar nga tymi, ndërsa ajo kishte mbetur e bllokuar brenda për shkak të hapjes së airbag-ut.
Idajet Hasa polic i komisariatit Colombo, i cili ndodhej rastësisht në vendngjarje, veproi menjëherë. Pa hezitim, ai nxori gruan nga makina dhe qëndroi pranë saj, duke e qetësuar derisa mbërriti ambulanca.
Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, e cilësoi këtë veprim si një shembull të jashtëzakonshëm të guximit dhe solidaritetit që karakterizon punonjësit e Forcave të Rendit.
“Një akt që tregon vlerat e bujarisë dhe humanizmit që i frymëzojnë burrat dhe gratë e policisë sonë,” deklaroi ministri.
Ngjarja është një dëshmi e përkushtimit të policisë italiane për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve në çdo moment, edhe kur janë jashtë detyrës zyrtare./faxweb