Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj shefit të asamblistëve i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, duke vendosur që i njëjti të mbrohet në liri.
Sveçla dyshohet për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, për rastin e demolimit të mikrofonit në Kuvendin Komunal në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në njoftim thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe i pandehur lirohet të mbrohet në liri.
“Gjykata pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, konstatoi se kërkesa për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin G.S. është e pabazuar dhe shkon përtej qëllimit të masave për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, pengimin e rikryerjes së veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës dhe meqenëse nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së propozuar dhe as të ndonjë mase tjetër më të butë, gjykata vendosi që i pandehuri G.S. të mbrohet në liri”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në njoftim theksohet se qëllimi i masave të parapara në nenin 171 të Kodit të Procedurës Penale, është sigurimi i pranisë së të pandehurve në procedurë, pengimi i rikryerjes së veprës penale dhe zbatimi i suksesshëm i procedurës, dhe se këto masa nuk paraqesin ndëshkim për personin e dyshuar për kryerjen e një vepre penale.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 09.12.2024 rreth orës 10:45, në sallën e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, në momentin që anëtarët e Kuvendit të Komunës largohen nga salla për një pushim (pauzë), i pandehuri G.S anëtar i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, me qëllim të ndërprerjes së seancës së Kuvendit të Komunës, e që si pikë e rendit të ditës ishte edhe miratimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, me dashje e ka dëmtuar pasurinë e personit tjetër respektivisht pronën publike (mikrofonin) e vendosur tek tavolina e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës, me ç’ rast të dëmtuarës Kuvendit të Komunës së Prishtinës i ka shkaktuar dëm material”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
The post Lirohet Gëzim Sveçla appeared first on KosovaNews.