Liga e Kampioneve e ka kthyer Hansi Flikun sërish në Gjermani. Sonte në mbrëmje Barcelona e tij do të përballet me Dortmundin, në një duel që mund të vlejë një biletë për më tej në Champions.Për trajnerin gjerman të Barçës, Dortmundi ofron kujtime të këndshme, teksa në karrierën e tij e ka mundur plot 5 herë (në po kaq ndeshje) kur drejtonte Bajernin e Mynihut në Bundesligë. Ai ka shkaktuar humbje të thella verdhezinjve me bavarezët dhe tashmë synon të vijojë rekordin e tij nga Borusias edhe nën drejtimin e Barçës. Ai ka folur para ndeshjes kundër Dortmundit, duke u shprehu i bindur te kapacitetet e lojtarëve të tij, duke synuar vetëm fitoren.
NDESHJA – “Do të luajmë në një stadium të mrekullueshëm me një atmosferë të shkëlqyer. Do të luajmë në një ambient që të motivon të bësh më të mirën. Ne kemi treguar se jemi një skuadër me cilësi dhe jam i bindur se në Dortmund do të tregojmë futbollin tonë më të mirë. Gjatë një sezoni do të ketë ulje e ngritje, kjo është normale. Kemi pasur dhe probleme me dëmtimet. Por unë kam besim të plotë në skuadrën që drejtoj. I shoh çdo ditë lojtarët e mi që punojnë fort, japin gjithçka, ndaj jam optimist”.
DIFERENCAT ME GJERMANINË – “Nuk dua të futem në krahasime, sepse çdokush ka idenë e tij se si luan. Natyrisht, nisur nga pikëpamja teknike ka diferenca. Por atmosfera është e shkëlqyer”.
MESAZHI PËR SKUADRËN – “E përmenda më lart se do të kemi dhe ne momentet negative gjatë sezonit. Por rëndësi ka se si do ta mbyllim sezonin. Jam i bindur se do të jemi atje në majë. Nuk duhet të harrojmë se jemi një skuadër shumë e re që do të vijojë duke mësuar. Barazimi me Betisin na dëmtoi, por duhet të mësojmë nga gabimet, pasi skuadra ka potencial të jashtëzakonshëm. Ne do të bëjmë më të mirën, jam i sigurt se mund të fitojmë ndaj Dortmundit. Këto janë pikë shumë të rëndësishme, që mund të na vendosin në pozita komode në Champions”.
LEVANDOVSKI – “Ne na duhet Levandovski, por dhe Levës i duhet ekipi. Një lojtar nuk mund të luajë vetëm dhe të fitojë. Robert është një lojtar me cilësi të shkëlqyera dhe ne duam të përfitojmë prej tij”.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL