Postuar: Dhjetor 10, 2024 | 15:47
Fitorja e fundit ndaj Skënderbeut dhe ndalesa e Partizanit në Ballsh u ka dhënë rrogozhinasve mundësinë të rimarrin vendin e parë në tabelën e klasifikimit.
Përpos luhatjeve të këtij edicioni, ku mungon ai dominimi i vitit të kaluar, të besuarit e trajnerit Edlir Tetova janë sërish ata që udhëheqin kampionatin dhe mbeten pretendentët kryesorë për t’u shpallur sërish kampionë. Edhe kur skuadra duket se nuk është në formën e saj më të mirë, në fund ia del të fitojë, duke u treguar mjaft cinike. I tillë ishte edhe rasti i ndeshjes ndaj Skënderbeut, ku mjaftoi një penallti për 3 pikët.
KAMPIONE DIMRI – Bëhet fjalë për një arritje morale, por që në njëfarë mënyre ka edhe një domethënie për të treguar performancën e një skuadre. Egnatia synon ta mbyllë këtë vit si kampione dimri dhe më pas të shpresojë ta mbajë deri në fund vendin e parë. Fakti që ekipi i Tetovës ndodhet në këto pozita tregon se deri më tani ka bërë mirë, edhe pse nuk kanë munguar ndeshjet ku kanë ceduar dhe ndoshta pritej më shumë. Për të fituar statusin e kampiones së dimrit, tanimë gjithçka është në dorë të rrogozhinasve: mjafton të fitojnë dy ndeshjet e mbetura me Teutën dhe Dinamon, pa u merakosur shumë se çfarë rezultatesh do të marrin rivalët e tyre në këto ndeshje të fundit të 2024-ës. Praktikisht kjo është gjysma e rrugës dhe një garanci për të bërë të njëjtën gjë edhe në gjysmën e dytë, ku kuptohet që do të jetë më e vështirë.
CINIZMI – Ndoshta Egnatias nuk i shkon shumë cinizmi, për vetë faktin se sezonin e kaluar dominonte kundërshtarët dhe nuk kishte nevojë të ishte pragmatiste për të fituar një ndeshje. Këtë sezon duket se është bërë cinike dhe fiton edhe pa shkëlqyer, ajo që i duhet një skuadre që në fund të fundit i interesojnë të marrë pikët për të arritur objektivat. Këtë e tregoi edhe ndeshja me Skënderbeun, ku rrogozhinasit shënuan vetëm një gol me penallti. Edhe kur kundërshtari mbeti për shumë minuta me një lojtar më pak, sërish Egnatia nuk shënoi golin e sigurisë. Edhe ndaj vendit të fundit nuk u pa dominimi. Këtë sezon Egnatia mund të mos e ketë shkëlqimin e vitit të kaluar, por ka një armë plus: cinizmin.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL