Aktivistja nga “Qyteti i Gjelbër Human”, Ivana Drakulevska informoi për gazetën KOHA se marshi i protestës do të mbahet të martën, më 10 dhjetor, në orën 16:00, nga Ministria e Mjedisit Jetësor, do të vazhdojë para Parlamentit, duke përfunduar para Qeverisë
Anëmsha SHABANI
Shkup, 9 dhjetor – Në Shkup, ndotja e ajrit ka arritur nivele alarmante, duke u bërë një kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve. Kjo situatë ka nxitur shumë qytetarë dhe organizata që angazhohen për mbrojtjen e mjedisit dhe të kërkojnë masa urgjente për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe për uljen e ndotjes. Për këtë qëllim, një protestë do të zhvillohet nesër më 10 dhjetor nga iniciativa “Qyteti i Gjelbër Human”, ku do të kërkohen veprime konkrete për të përmirësuar ajrin dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Aktivistja nga “Qyteti i Gjelbër Human”, Ivana Drakulevska informoi për gazetën KOHA se protesta do të mbahet të martën, më 10 dhjetor, në orën 16:00, e cila do të nisë një marsh proteste nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe do të vazhdojë përmes Parlamentit, duke përfunduar para Qeverisë.
“Çdo vit, rreth 3828 persona në vend humbin jetën si pasojë e ekspozimit ndaj pjesëve të dëmshme PM 2.5. Kjo paraqet 17.7 për qind të vdekshmërisë totale në vend. Sidomos shqetësuese është fakti se një nga nëntë fëmijët e ndjerë nën një vit, vdesin për shkak të ajrit të ndotur”, theksoi aktivistja.
Ajo njoftoi se “Qyteti i Gjelbër Human” kërkon masa të menjëhershme dhe afatmesme për të luftuar ndotjen e ajrit, përfshirë parashikimin e inversioneve të temperaturës, transparencën në lejet e integruara, ndalimin e importit të automobila të vjetër dhe standardeve të ulëta, përmirësimin e infrastrukturës për biçikleta, ndërtimin e sistemeve fotovoltaike dhe rehabilitimin e deponive të ndotura, me qëllim për të garantuar ajër të pastër dhe një ambient të shëndetshëm për qytetarët.
“Kërkojmë të publikohet një regjistër për personat juridikë që duhet të kenë leje të integruar B, por që nuk e kanë atë, për të siguruar transparencë dhe ndjekjen e kontrollit të subjekteve që nuk i përmbushin kërkesat ligjore. Të ndalohen linjat e trafikut në bulevardet që janë më të gjëra se minimumi i përcaktuar nga ligji, për të ulur numrin e makinave dhe inkurajuar përdorimin e transportit publik dhe biçikletave. Të ndalohet importimi i automobilave të përdorur më të vjetër se 10 vjet dhe me standard më të ulët se ‘EURO 5’, dhe importimi i automobila të rinj të bëhet me standardin minimal ‘EURO 6’. Të përgatitet një plan për menaxhimin e trafikut që do të aktivizohet kur ndotja kalon kufijtë e lejuar dhe të përfshijë uljen e çmimit të transportit publik në ditët me ndotje të lartë. Si dhe të miratohet menjëherë një udhëzues për planifikimin dhe ndërtimin e infrastrukturës për biçikleta, për të inkurajuar përdorimin e tyre dhe ulur emetimet e gazrave të dëmshëm”, kumtoi Qyteti i Gjelbër Human.
Gjithashtu, ata kërkojnë masa afatmesme për të luftuar ndotjen e ajrit, duke përfshirë vendosjen e stacioneve matëse për monitorimin e ndotjes, ndërtimin e një rrjeti të gjerë biçikletash, përdorimin e sistemeve fotovoltaike në objektet publike, subvencionimin e sistemeve fotovoltaike për shtëpitë private dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik të fasadave të shtëpive.
“Ne kërkojmë vendosjen e një rrjeti të dendur lokal të stacioneve matëse për ndotjen e ajrit, duke siguruar që të dhënat të jenë të disponueshme për publikun në kohë reale. Gjithashtu, të ndërtohet një rrjetë e gjerë e biçikletave në qytete, me rrugë dhe pista të dedikuara për biçikleta që të inkurajojnë qytetarët të përdorin këtë formë transporti. Të bëhet kalimi në sisteme fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike në objektet publike, për të ulur ndotjen dhe për të promovuar përdorimin e energjisë së rinovueshme. Të subvencionohen sistemet fotovoltaike për individët dhe familjet për të ulur ndotjen dhe për të siguruar drejtësi energjetike dhe të ofrohen subvencione për përmirësimin e efikasitetit energjetik të fasadave të shtëpive për të ulur përdorimin e energjisë dhe për të zvogëluar ndotjen”, thanë nga atje.
Nga atje shtojnë se kërkojnë mbylljen e deponisë së Vardarishtes për të eliminuar pasigurinë mjedisore dhe ndotjen e ajrit dhe ujit që ka shkaktuar, duke e shndërruar atë në një hapësirë të gjelbër dhe rekreative për qytetarët e Shkupit. Për fund, nga Qyteti i Gjelbër Human kërkojnë miratimin e dy planeve urbanistike, realizimin e një studimi të ri fizibiliteti dhe remedimin apo rehabilitimin e hapësirës me gjelbërim dhe terrene sportive e rekreative. (koha.mk)