January 10, 2025
REDAKT.Beteja-para-kushtetuesesS-2.jpg


“Unë kam frikë se këtu ka një mision që ata e quajnë ‘vtoro polluvreme’ (pjesa e dytë) për t’iu hakmarrë Marrëveshjes së Ohrit, për ta dëmtuar Marrëveshjen Kornizë brenda njëqind ditëve të para. Vendimi i 17 tetorit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i ndaloi institucionet të njohin qytetarët në bazë të përkatësisë etnike, e ka hequr zemrën e Marrëveshjes së Ohrit. Domethënë një vendim u mor, vendimi i dytë ishte mosrespektimi i legjitimitetit dhe vendimi i tretë është gjuha…”, theksoi neënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani. VLEN-i qetëson: “Shqiptarët le të rrinë të qetë, gjuha shqipe do të mbrohet”

Ersan PAJAZITI

Shkup, 9 dhjetor – Me tenda të ngritura para Gjykatës Kushtetuese, aty ku më 11 dhjetor pritet të vendoset fati i disa neneve të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, të cilat janë kyçe për përdorimin zyrtarë të gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut, Fronti Europian po vazhdon të shpreh revoltën. Eksponentë partiak të Frontit, aktivistë e qytetarë të shumtë kanë kaluar natën në këto tenda, një iniciativë që opozita shqiptare e ka quajtur “Roje për Gjuhën”. Përtej simbolikës, kjo nismë, sipas nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani, është një mburojë për demokracinë multietnike dhe për të ardhmen evropiane të vendit.

“Çdo thirrje e shqiptarëve për të shprehur një brengë, një hall të argumentuar – ironizohej, nënçmohej kinse ja këta kriminelët. Ashtu quheshin edhe shqiptarët në Kosovë gjatë përpjekjeve të tyre për të thënë se janë në represion të një regjimi”, tha Osmani duke shtuar se e njëjtja po ndodh edhe sot.

“Unë kam frikë se këtu ka një mision që ata e quajnë ‘vtoro polluvreme’ (pjesa e dytë) për t’iu hakmarrë Marrëveshjes së Ohrit, për ta dëmtuar Marrëveshjen Kornizë brenda njëqind ditëve të para. Vendimi i 17 tetorit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i ndaloi institucionet të njohin qytetarët në bazë të përkatësisë etnike, e ka hequr zemrën e Marrëveshjes së Ohrit. Domethënë një vendim u mor, vendimi i dytë ishte mosrespektimi i legjitimitetit dhe vendimi i tretë është gjuha. Këta duan ta përfundojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe pastaj të shpallin moratorium për çështje etnike, por nuk mund të kalojë kjo”, theksoi Osmani.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese është duke zbatuar urdhrat e VMRO-DPMNE-së në pushtet, e cila, siç tha ai, në Programin e partisë dhe pastaj në Programin e Qeverisë e ka ndalimin e përkatësisë etnike. “Më vjen keq që si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kemi Gjykatë Kushtetuese që zbaton program partiak. Ju e dini që vendimi për ndalimin e përkatësisë etnike është i shkruar në Programin e VMRO-DPMNE-së dhe zbatohet me urdhër të partisë, përmes Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Osmani.

VLEN: SHQIPEN KA KUSH E MBRON

Ndërkohë trupi koordinues i koalicionit VLEN ka mbajtur takim ku është diskutuar mbi ngjarjet e fundit dhe siç thonë nga VLEN-i, retorikën përçarëse të cilën po mundohet ta imponojë opozita shqiptare. Nga koalicioni VLEN theksojnë se BDI, gjoja në emër të mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe nëpërmjet skenarëve të kopjuara nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, po mundohet ta manipulojë opinionin publik. “Shqiptarët le të rrinë të qetë, gjuha shqipe do të mbrohet”, theksoi deputetja e VLEN-it Saranda Imeri Stafa gjatë konferencën për media, e cila tha se truket e BDI-së për tu paraqitur si shpëtimtarë të problemeve të cilat, siç tha Imeri Stafa, vet BDI I ka shkaktuar, nuk iu kalojnë, ndërsa u shpreh se BDI nuk ka legjitimitet politik dhe moral për tu paraqitur si mbrojtëse e gjuhës shqipe.

“Korrupsioni mbi 10 vjeçar ka faturën e vet, ai të zhvesh nga çdo ndjenjë përgjegjësie dhe të bën të papërshtatshëm për mbrojtjen e vlerave kombëtare. Prandaj nuk mundet një i korruptuar të mbrojë diçka aq të rëndësishme, siç është gjuha shqipe. Nuk mundet një parti që ka individ në lista të zeza ndërkombëtare, të pretendojë se mbron kauzën shqiptare, njëra me tjetrën nuk shkojnë”, tha deputetja e koalicionit VLEN, Saranda Imeri Stafai.

Nga koalicioni VLEN shtojnë se pikërisht Bashkimi Demokratik për Integrim janë përgjegjës për kontestimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. “Kjo parti së pari miratoi Ligj për gjuhët me anomali, së dyti e dërguan Ligjin në Komisionin e Venecias, i cili e kontestoi ligjshmërinë e tri neneve kyçe. Së treti, pasi kuptuan që do të jenë në opozitë përmes instalimeve në Gjykatën Kushtetuese, dëshiruan të shkaktojnë tensione ndëretnike për të shmangur përgjegjësinë për ish-funksionarët e tyre të korruptuar dhe tani me tenda duan të paraqiten si shpëtimtarë të gjuhës shqipe”, theksoi deputetja Imeri Stafa, e cila mes tjerash tha se koalicioni VLEN, si pjesë e pushtetit aktual, me muaj është duke u angazhuar për korrigjimin e gabimeve që siç thotë, i ka bërë BDI gjatë të kaluarës.

VMRO-DPMNE: DRAMË E BDI-së PËR TË MBULUAR KRIMET

Ndaj veprimit të BDI-së ka reaguar edhe VMRO-DPMNE, e cila këtë aksion të BDI-së e ka vlerësuar si dramë, që ka për qëllim mbulimin e krimeve të bëra gjatë qeverisjes së kaluar.

“Drama e BDI-së para Gjykatës Kushtetuese është dirigjuar së bashku me LSDM-në dhe mesa duket, është organizuar nga politikanë të përfshirë në aktivitete kriminale. BDI dhe LSDM kanë frikë se do të mbajnë përgjegjësi për të gjitha krimet dhe tradhtitë që kanë bërë, ndaj organizojnë protestë para Gjykatës Kushtetuese, që të mos përfundojnë në gjykatë tjetër. BDI dhe LSDM duke e ditur se asgjë nuk do të ndodhë të mërkurën, po fshihen dhe po mbjellin mjegull përmes protestës.”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së drejtuar mediave. Përndryshe ditë më parë ka reaguar edhe kryeministri i vendit Hristijan Mickoski, i cili tha se të mërkurën, ditën kur duhet Gjykata Kushtetuese të debaton në lidhje me disa dispozita të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, nuk do të ndodhë asgjë.

Përndryshe, gjykatësit shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari kanë paralajmëruar se do ta bojkotojnë të mërkurën seancën e Gjykatës Kushtetuese. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *