December 23, 2024
ari-papa-aleksander-sadikaj.jpg


Prokuroria e Greqisë thyen portat e “Sky Ecc”, duke hapur një tjetër front të hetimit të krimit shqiptar, që ka operuar mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Janë një sërë episodesh të njohura në fakt, që dëshmojnë përplasjet e dhunshme dhe fatale mes grupeve, që kanë pasur dhe kanë aktivitetin në Greqi. Trafiku i marijuanës, kokainës, pastrimi i parave dhe ekzekutimet për hakmarrje dhe jo vetëm ishin objekt i një megaoperacioni që ka nisur dy ditë më parë.

Në listën e bisedave të deshifruara dalin emrat e Aleksandër Sadikajt, djalit që u ekzekutua në mënyrë brutale me minë të telekomanduar në afërsi të TEG, rivaliteti mes palëve, që ka shuar jetët e shumë pjesëtarëve të bandave kriminale brenda dhe jashtë Shqipërie. Operacioni është në vijim, ndërkohë që deri më tani janë nën urdhër arresti 14 shtetas shqiptarë, por në listën e policisë greke gjenden edhe shtetas nga vende të tjera, përveç grekëve dhe shqiptarëve.

Një rol aktiv kanë të burgosurit shqiptarë, sidomos ata që vuajnë dënime në burgjet greke, por që ende nuk bëhet me dije se cilët janë personazhet e burgjeve.

ARI PAPA

Ari Papa me origjinë nga fshati Dhivër i Sarandës, por rritur në Greqi, është ndoshta një nga personazhet më kontrovers të grupeve kriminale shqiptare në Greqi. I përfshirë në dhjetëra ngjarje, herë si autor e herë si viktimë, ai ndërroi jetë pas një atentati të mirorganizuar pasditen e 30 majit 2021 teksa pinte kafe në një lokal në “Sepolia” në Athinë. Para se të vritej, ai u kishte shpëtuar 3 atentateve në 20 korrik 2007, 26 maj 2019 dhe 26 shkurt 2021.

Përmes mesazheve në aplikacionet “Sky Ecc” dhe “Encrochat”, policia greke zbuloi se pas atentatit të 26 shkurtit 2021 në “Stacionin e Larisës” në Athinë fshihet pikërisht Aleksandër Sadikaj, i ekzekutuar me eksploziv në automjetin e tij në vitin 2022 në Tiranë. Në fakt, ky atentat ndodhi vetëm një ditë pasi Ari Papa ishte arrestuar nga policia greke mbi një patinë elektronike, i veshur me antiplumb dhe me një pistoletë turke “Baikal” në brez, por që u lirua brenda pak orëve.

DOSJA “SKY ECC”, NGJARJA 26.02.2021

“Gjatë analizës së mesazheve të aplikacionit ‘Sky Ecc’, doli në pah roli aktiv i Aleksandër Sadikajt ose Aleksandër Kalemit dhe Denis Grabockës në një tentativë vrasjeje, të ndodhur më 26.02.2021, ndaj shtetasit shqiptar Aristidis Papas ose Ari Papa. Motivi i tentativës së vrasjes ndaj tij ishte hakmarrja për ngjarjen e datës 14.12.2020 ndaj Viljan Boraj, i njohur si ‘Giannakis’, e ndodhur në zonën e Patisias në Athinë, nga e cila mbeti i plagosur më armë kushëriri i Aleksandër Sadikaj, 16- vjeçari Rubin Kalemi, pasagjer në mjetin në të cilin udhëtonte Viljan Boraj.

Aleksandër Sadikaj ishte orkestruesi i sulmit dhe roli i Denis Grabockës ishte të jepte informacion për lëvizjet dhe zakonet e objektivit, duke shkuar personalisht në vendet e frekuentuara prej tij, për të dhënë një “sinjal” – shkas, për autorët që ishin të armatosur dhe të vendosur në zonë, ndërsa ditën që ndodhi sulmi, largoi, siç shihet në mesazhe, një nga autorët fizikë, Viljan Boraj, për të shmangur arrestimin.

Më datë 16.01.2021, Denis Grabocka ka marrë në emër të Aleksandër Sadikajt, në vend dhe kohë të panjohur, nga një furnizues i panjohur, një armë ushtarake të tipit snajper me dioptra, duke ia dërguar foton, të cilën në fakt ua ka dorëzuar ekzekutorëve në një hotel ku po përgatisnin planin e tyre. Madje, arma ishte vendosur në një ballkon me pamje nga një shesh, ku viktima frekuentonte dhe ishte vendosur në një distancë prej 100 metrash, por nuk arritën ta kishin viktimën në distancë të qitjes.

Më në fund, edhe pas atentatit të dështuar të datës 26.02.2021, në të cilin viktima u plagos me armë, përgatitja e një sulmi të ri vazhdoi me një plan të hartuar nga Aleksandër Sadikaj, duke kërkuar ndihmën e Denis Grabockës për përgatitjen, përkatësisht caktimin e një ekzekutori, të cilit viktima i besonte dhe meqenëse ata takoheshin ndonjëherë në një nivel miqësor, në kohën e duhur ta vriste.

Në fakt, Grabocka mori përsipër dhënien me qira të një shtëpie në zonën e Kipselit për autorin dhe familjen e tij, ndërsa deri në ditën e fundit të mesazheve u fol për nevojën për të arritur vrasjen e viktimës”. Ari Papa nuk ishte shënjestër vetëm e Aleksandër Sadikajt. Veprimtaria e tij kriminale e nisur qysh në moshë të vogël, e ka bërë atë herë autor e herë objekt atentatesh, pa përmendur këtu veprimtarinë e tij në ngjarje të tjera si grabitje apo trafik droge.

Në fillim të viteve 2000, një grup i madh shqiptarësh, kryesisht të rinj, që më pas do të ktheheshin në vrasës, organizuan një bandë prej 20 personash me qëllim trafikimin e drogës. Pas prishjes së pazareve mes tyre, grupi u nda në dy pjesë. Në këtë moment ndërmjet tyre filloi një luftë e ashpër për kontrollin e trafikut të drogës, që përfundoi me vrasjen e të gjithë anëtarëve të njërit grup, përveç njërit prej tyre që u arrestua në qershor 2007, ndërsa nga grupi tjetër mbetën 5 persona, 4 u arrestuan më 2008 dhe njëri u shpall në kërkim. Pjesëtar i këtyre grupeve kriminale ishte edhe Ari Papa, i cili deri sa u vra ishte arrestuar disa herë për grabitje, armëmbajtje pa leje e trafik droge, ndërsa dyshohet se ka marrë pjesë si autor edhe në vrasje.

Në 20.07.2007 u krye atentati i parë ndaj Ari Papës. Ai u qëllua me armë në kryqëzimin e rrugëve “Liosion” dhe “Sozopoleus” në Athinë. Papa mbeti i plagosur së bashku me shtetasin e huaj Georgio Tarnovalinski. Në 26.05.2019, ai u qëllua rreth orës 20:40 me pistoletë në kofshë në vendin e quajtur “Stacioni Larisit”. U transportua menjëherë në spitalin “Georgios Gennimatas”, ku mori ndihmën e parë dhe shpëtoi nga rreziku për jetën. Gjatë kontrollit policia i gjeti në trup një sasi të vogël marijuane. Më 26.02.2021, aty ku u godit në 2019, pikërisht në “Stacionin e Larisit”, goditet përsëri. Ishte ora 20:00 kur Papa ndodhej midis rrugëve “Mixail Boda” dhe “Agorakritou”, kur ndaj tij u hap zjarr. Papa mori dy plagë dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit, ku sërish i shpëtoi vdekjes.

Më 30.05.2021, pak minuta para se ora të shënonte 18.00, 32-vjeçari Ari Papa u qëllua pas shpine 8 herë me pistoletë, teksa pinte kafe në bar “Kayak” në rrugën “Dyrrahu 30” në Sepolia. Për shkak të plagëve, ai ndërroi jetë. Për vrasjen e tij, në mars 2023 policia arrestoi vetëm dy persona që dyshohet se kishin shërbyer si ndihmës të autorëve. Bëhet fjalë për taksistin shqiptar, 47- vjeçarin Juljan Ymeri, i cili përdor edhe emrat Ervin e Beniamin dhe mbiemrat Rexhepi e Bethanov dhe një barist grek, ndërsa ekzekutori mendohet se ka ardhur nga Shqipëria dhe nuk është identifikuar.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *