Tirana është kthyer në ekipin e barazimeve, por kryeqytetasit kanë shtatë muaj që nuk fitojnë në transfertë.Bardheblutë janë dramë në ndeshjet jashtë shtëpie, edhe pse këtë vit vetëm tri sfida i kanë luajtur në Tiranë. Fitorja e fundit, si udhëtuese për Tiranën është kampionatin e shkuar. Më saktë, në 11 maj 2024 kur mundte Egnatian 0-3 në Rrogozhinë.
Në gjithë 2024-ën, Tirana ka vetëm katër fitore, një me Kukësin, një me Dinamon, një me Erzenin dhe rrogozhinasit. Prej 1 janarit e deri më sot, bardheblutë janë një çmenduri më vete. Në këtë kampionat, kryeqytetasit nuk janë ngjitur më shumë se vendi i gjashtë në javën e parë. Edhe në renditjen e transfertës, është e shtata me 6 pikë të grumbulluara.
TRANSFERTAT
Veç faktit që Tirana ka 7 muaj që nuk fiton në transfertë, gjatë një ndeshjeje zyrtare, bardheblutë janë shumë dobët edhe në shifra. Bardheblutë kanë vetëm 2 fitore ose 12.5% të rezultateve. Barazime ka 11 ose 68.75% të takimeve janë mbyllur “remi”. Humbje janë 3 ose 18.75%. Tirana fiton pak më shumë se një pikë për ndeshje. Më saktë janë 1.06 pikë. Kryeqytetasit kanë shënuar 18 gola ose 1.13 për takim dhe kanë pësuar 17 ose 1.06 rrjeta për sfidë. Në gjashtë takime, ekipi që në këtë moment drejtohet nga Gugash Magani nuk ka pësuar asnjë gol. Po gjithashtu, janë gjashtë ndeshje të tjera që skuadra bardheblu nuk ka mundur të shënojë në portën kundërshtare.
PIKËT
Tirana shumicën e pikëve e ka me ekipet poshtë vetes. Triumfet janë shënuar ndaj Skënderbeut dhe Bylisit. Ndaj këtyre dy skuadrave ka grumbulluar tetë pikë, katër nga secilën. Me Laçin ka dy barazime ashtu si me Partizanin dhe Elbasanin. Fitorja më e madhe është ajo ndaj Bylisit 4-0, ndërsa humbja më e fortë ajo ndaj Vllaznisë 3-4. Nga tetë takime në transfertë, Tirana ka grumbulluar vetëm 6 pikë. Golaverazhi është 6-9. Një dramë më vete.
VJET
Në sezonin e shkuar, skuadra bardheblu ishte “si nata me ditën” me ekipin e këtij viti në të njëjtin moment të kampionatit. Dhe të thuash se ekipi i vjetëm nuk shkoi dot në katërshe. Sa për krahasim, në fund të javës së 16-të, skuadra e vjetshme kishte 23 pikë dhe ishte në vendin e tretë. Tirana e sivjetshme është në vendin e shtatë dhe ka 17 pikë ose 6 më pak se 365 ditë më parë. Nëse këtë vit, Tirana ka vetëm dy fitore dhe 11 barazime, sezonin e shkuar ka pasur gjashtë fitore dhe 5 barazime. Vetëm te humbjet kanë fituar bardheblutë, pasi kanë dy më pak se vjet, tre kundër 5. Edhe në golaverazh, skuadra e vjetshme ishte 24- 23, ndërsa e sivjetmja 18-17.OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL