Ky i sivjetshmi mund të etiketohet si Partizani i ekstremeve. Skuadra e kuqe së fundmi u ndëshkua në minutën e fundit nga Egnatia në “Arenën e Demave”, duke i ikur nga duart një fitore, që do ta “blindonte” në krye të renditjes.
Nuk ia doli, por kjo nuk është ndeshja e parë e të kuqve që vendoset në fund. Nga 16 ndeshje të luajtura në total, Partizani ka arritur të shënojë ose është ndëshkuar në fund në plot 8 ndeshje. Në katër sfida të kuqtë e kanë kthyer në favor ndeshjen e tyre dhe kanë arritur të shpëtojnë plot 10 pikë, nga 29 që kanë në total. Në katër të tjera e kanë pësuar, duke humbur tetë pikë në katër ndeshje. Në të gjitha rastet të kuqtë janë barazuar, duke mos u përmbysur.
NDESHJET Siç shihet në tabelë, të kuqtë arritën të ndëshkojnë Skënderbeun dhe të marrin fitoren në fund në fazën e parë dhe në javën pasardhëse mposhtën Teutën duke siguruar 3 pikët me një gol të Mba në të 89-ën. Më pas vijmë në sfidën e fazës së dytë ndaj Vllaznisë, ku me një gol në shtesë të Mba, skuadra e kuqe mori një barazim të vyer kundër Vllaznisë në Shkodër.
Në tri ndeshje të tjera golat në fund kanë shkuar në favor të kundërshtarëve. Lorenco Vila me Dinamon i hoqi Rrapajt fitoren nga duart, teksa më pas Ballhysa barazoi Zekën pak minuta pranë fundit. Para katër javësh Teuta shënoi në fund dhe vulosi një barazim 1-1, që zbriti të kuqtë nga kreu, edhe pse me pikë të barabarta me Partizanin. Të enjten rezultoi që edhe Egnatia t’i marrë një barazim në minutat e fundit në një ndeshje plot tension e polemika.
“X” Barazimet janë rezultati më i shpeshtë i Partizanit në këtë kampionat. Të kuqtë numërojnë plot tetë barazime në 16 javë, çka tregon se 50% e ndeshjeve janë mbyllur me këtë rezultat. Të kuqtë janë skuadra e tretë në kampionat me më shumë barazime, pas Tiranës (11) dhe Elbasanit (9). Nga ana tjetër, Partizani ka arritur shtatë fitore, sa Egnatia, Dinamo dhe Vllaznia. Fakti që ka vetëm një humbje është edhe shkaku kryesor përse skuadra e Veselinoviç ndodhet në krye të renditjes.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL