December 23, 2024
rebel.jpg


Forcat ruse i bombarduan një urë dhe autostradë të rëndësishme në përpjekje për ta ngadalësuar përparimin e shpejtë të rebelëve drejt qytetit sirian Homs, që i ka detyruar mijëra njerëz të ikin.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Britani të Madhe, tha se civilët po ikin nga Homsi drejt rajoneve mesdhetare, Latakia dhe Tartus, të cilat janë bastione të Qeverisë, ku Rusia ka baza ajrore dhe detare.

Kombet e Bashkuara thanë të premten se gati 300.000 njerëz në Siri janë zhvendosur nga fundi i nëntorit, si pasojë e luftimeve, dhe se deri në 1.5 milion njerëz mund të detyrohen të ikin për shkak të përparimit të rebelëve, të cilët po i shkaktojnë humbje presidentit të vendit, Bashar al-Assad, si dhe aleatëve të tij, Rusisë dhe Iranit.

Assadi është varur nga Irani dhe Rusia për të qëndruar në pushtet që nga shpërthimi i konfliktit në vitin 2011.

Një oficer i Ushtrisë Siriane është cituar nga Reuters duke thënë se bombardimet ruse gjatë natës shkatërruan urën Rastan përgjatë autostradës kryesore M5, e cila i lidh Homsin me Haman, një tjetër qytet që rebelët e pushtuan një ditë më parë.

Rebelët, të udhëhequr nga grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS), kanë bërë përparime të mëdha gjatë ditëve të fundit, duke përfshirë pushtimin e Alepos, qytetit më të madh të vendit, si dhe 14 fshatrave dhe qytezave qendrore, duke arritur rreth 35 kilometra afër bazës ajrore, Khmeimim, e cila udhëhiqet nga rusët.

HTS-ja konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian.

Hama, qyteti i katërt më i madh i Sirisë, është jetik për mbrojtjen e Damaskut dhe portë drejt qyteteve bregdetare, Tartus dhe Latakia. Në Tartus Rusia ka bazë strategjike detare.

Në intervistën e tij të parë për media pas disa vitesh, Abu Muhammad al-Julani, udhëheqësi i grupit, i tha CNN-it se qëllimi “mbetet rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assadit, dhe është e drejta jonë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për ta arritur këtë qëllim”.

Përveç HTS-së, rebelët gjithashtu përfshijnë një grup ombrellë të milicive siriane të mbështetura nga Turqia, të quajtura Ushtria Kombëtare Siriane.

Ministrat e jashtëm të Irakut, Sirisë dhe Iranit pritet të takohen të premten më vonë për të biseduar për situatën në Siri, ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se diplomatët më të lartë nga Moska, Teherani dhe Ankaraja do të takohen në Katar, më 7 dhjetor.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë, TASS, raportoi të premten se Ambasada e Rusisë në Siri u ka bërë thirrje shtetasve rusë që të largohen nga vendi për shkak të gjendjes.rel



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *