Nga data 10 deri në 17 dhjetor të këtij viti, të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për banesat sociale me qira, të përfituara nga kontributi i sektorit privat në kuadër të programit social të strehimit.
Lajmi është bërë me dije nga Bashkia e Tiranës, e cila ka njoftuar hapjen e thirrjes për aplikim. Bazuar në ligjin “Për strehimin social”, i ndryshuar, dhe vendimin e këshillit bashkiak thirrja për aplikime është e hapur për fazën e parë të këtij programi. Kush ndërton më shumë se 2000 m² është i detyruar të dhurojë 3% të sipërfaqes ose të vlerës së saj për banesa sociale.
“Çdo individ/familje paraqet kërkesën për të përfituar (Faza I) nga ky program përmes portalit qeveritar “eAlbania”, brenda 7 ditëve kalendarike nga njoftimi publik për hapjen e thirrjes, duke zgjedhur shërbimin “Kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social”. Gjithashtu, bazuar në pikën 2 të nenit 14, të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin Social”, i ndryshuar individi ose përfaqësuesi/ja i/e familjes, që vetëdeklarohet me paaftësi apo pamundësi aksesi në rrjetin e komunikimeve elektronike, u drejtohet njësive administrative ku kanë vendbanimin ose vendqëndrimin, me qëllim asistimin në kryerjen e aplikimit në portalin eAlbania”, thuhet në njoftim.
Afati për aplikim sipas kësaj thirrje, për fazën e parë fillon me datën 10.12.2024 dhe përfundon në datën 17.12.2024. Ky është një hap i rëndësishëm për mbështetjen e familjeve dhe individëve në nevojë, duke ofruar një mundësi për strehim të përballueshëm.
PROGRAMI
Programi i banesave sociale me qira është programi, me anë të të cilit jepen me qira banesat në pronësi publike nga fondi publik i banesave sociale, si dhe banesat që janë në pronësi të pronarit social.
“Banesat sociale me qira përfshijnë: a) banesat sociale që ndërtohen ose blihen nga tregu i lirë, nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim që të jepen me kontratë qiraje sociale; b) banesat ekzistuese në treg, në pronësi të pronarit social; c) objektet e dala jashtë funksionit, si rezultat i mbylljes së një veprimtarie, të cilat kanë kaluar në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe, në përputhje me planin e përgjithshëm vendor, janë miratuar për t’u kaluar në fond banesash sociale me qira, që subvencionohen”, thuhet në njoftim.
Nga fondi i banesave sociale me qira, jo më pak se 80 për qind e familjeve që përzgjidhen të trajtohen në banesa sociale me qira duhet të kenë të ardhura nga 0 deri 100 për qind të të ardhurave mesatare familjare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse. Pjesa tjetër, jo më shumë se 20 për qind e familjeve mund të përzgjidhet brenda intervalit 100– 120 për qind të nivelit të të ardhurave mesatare.
“Banesat sociale me qira regjistrohen në pronësi të subjektit që e ka financuar. Kur banesat sociale me qira financohen tërësisht nga buxheti i shtetit ose bashkërisht nga buxheti i shtetit dhe nga buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore, ato regjistrohen në zyrën vendore të regjistrimit të pronave, në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose të institucionit publik të parashikuar në nenin 72, shkronja “g”, me shënimin përkatës për marrëveshjen kufizuese që ndalon tjetërsimin e pasurisë”, thuhet në ligj.