Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, i është përgjigjur disa deklaratave të fundit të Sali Berishës. Në një reagim në Facebook, Basha shkruan se ish-kryeministri është shndërruar në një mjet të Edi Ramës, duke e ndihmuar në zhvendosjen e vëmendjes nga aferat korruptive të qeverisë dhe lidhjet e saj me krimin.
Sipas tij, Berisha ka pranuar mbështetjen e Ramës për interesa personale, duke lënë në hije opozitën dhe duke dëmtuar kauzën demokratike.
Basha më tej shkruan se do të vazhdojë të punojë për t’u ofruar demokratëve një alternativë të besueshme dhe të ndershme, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit dhe integritetit politik.
Reagimi i Bashës:
Fatkeqësisht, dosjet e Sali Berishës e kanë kthyer atë në asetin e Edi Ramës, të cilin e përdor për të mbajtur debatin publik larg aferave të panumërta korruptive të qeverisë dhe lidhjeve të saj të tmerrshme me krimin. Është e turpshme, që Berisha pranon të jetë nën patronazhimin e Edi Ramës, të cilit i dha votat për të amnistuar të korruptuarit e tij, për mbylljen e listave, për pazarin e radhës me Gjykatën Kushtetuese, dhe në këmbim, mori vulën përmes një vendimi skandaloz, që Berisha e përdor jo për t’i shërbyer opozitës, por problemeve të tij me drejtësinë. Është e kuptueshme, që politikisht Berisha nuk mund të ekzistojë pa një armik, kështu që, përsa kohë Trekëndëshi i Bermudës po shtrëngon radhët në përballjen me SPAK-un, i ngelem vetëm unë me të cilin mund të merret për të hedhur në publik shashka qesharake.Ndaj jemi më të vendosur se kurrë për të mos i lënë demokratët pa alternativën e duhur dhe të besueshme, me të cilën të ndihen të përfaqësuar, të nderuar dhe jo të tradhëtuar.