December 5, 2024
96602D59-9247-416B-8CF2-30093E50006A.webp.webp


Diskutimet në takimin e ministrave të SHBA – Kartës së Adriatikut janë dëshmi për përkushtimin tonë të fuqishëm në avancimin e bashkëpunimit në siguri dhe promovimin e paqes, qëndrueshmërisë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajonin tonë, porositi sot ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski i cili merr pjesë në sesionet e punës në këtë takim në Tiranë.

Siç bënë të ditur nga Ministria e Mbrojtjes, Misajllovski në sesionet e punës në takim ka theksuar se me rëndësi më të madhe për fuqizimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë rajonale është bashkëpunimi politik – ushtarak i vendeve të Ballkanit dhe përkushtimi i vendeve të Evropës Juglindore drejt proceseve të integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Bashkëpunimi në kuadër të grupit A5, tha Misajllovski, është praktik dhe dërgon porosi të qartë se popujt tanë duan të jetojnë në paqe, siguri dhe qëndrueshmëri. SHBA – Kartën e Adriatikut e quajti forum të suksesshëm për konsultime mes vendeve me vlera të përbashkëta demokratike.

Misajllovski bëri thirrje për pragmatizëm në lidhje me mundësitë për aktivitete të përbashkëta, veçanërisht në trajtimin e kërcënimeve hibride dhe kibernetike, menaxhimin e krizave dhe përballjen me fatkeqësi të ndryshme natyrore. Lidhur me aktivitetet e ardhshme, ministri tregoi se vendet anëtare duhet të vazhdojnë përpjekjet për të identifikuar mundësi të reja bashkëpunimi, duke përmendur fusha si ndërtimi i qëndrueshmërisë dhe mbrojtja kibernetike.

Nga Ministria potencojnë se Misajllovski bashkë me përfaqësuesit e tjerë të vendeve anëtare të A5 nënshkruan deklaratë të përbashkët pas takimit.

Siç është bërë e ditur, në margjinat e takimit të ministrave, Misajllovski sot pasdite do të ketë takime të ndara me homologun e tij shqiptar, ministrin Piro Vengu dhe me ndihmës sekretaren e mbrojtjes së SHBA-së për çështje të sigurisë ndërkombëtare, Seles Valander.

SHBA – Karta e Adriatikut u krijua nga Karta e Partneritetit midis vendit tonë, SHBA-së, Shqipërisë dhe Kroacisë në vitin 2003. Formati A-5 ekziston që nga viti 2009, kur Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina iu bashkuan Kartës. Vendet vëzhguese të A-5 janë Sllovenia, Kosova dhe Serbia. Qëllimi i kësaj nisme është qasje e përbashkët dhe e koordinuar për përmbushjen e kritereve dhe standardeve të NATO-s, promovimin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe forcimin e paqes, demokracisë dhe stabilitetit në rajon.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *