December 5, 2024
7777REDAKT.Subvencionet-per-studentet.jpg


Derisa harxhimet jetësore rriten, shuma e subvencionit prej 140 denarësh për studentët mbetet e pandryshuar. Për më tepër, një tost me pije ose një byreku me jogurt arrin deri në 150 denarë, duke i lënë studentët me mundësi të kufizuara për të përdorur subvencionin në mënyrë efektive për ushqim

Anëmsha SHABANI

Shkup, 3 dhjetor – Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka hapur aplikimin për subvencionimin e racionit për studentët nga data 1 deri më 5 dhjetor, një mundësi që ofron mbështetje për studentët nëpërmjet një shume të caktuar financiare për ushqim. Mirëpo, ndërkohë që shporta ushqimore ka përjetuar një rritje të vazhdueshme të çmimeve, shuma e subvencionit prej 140 denarësh për studentët mbetet e pandryshuar.

Ky fakt ka ngjallur shqetësime, sidomos në një qytet si Shkupi, ku çmimi i një tosti të rëndomtë ose një kushton 100 denarë, duke e bërë të pamundur që kjo shumë të mjaftojë për të përballuar edhe nevojat më të thjeshta ushqimore. Për më tepër, një kombinim i tostit me pije ose një byreku me jogurt arrin deri në 150 denarë, duke i lënë studentët me mundësi të kufizuara për të përdorur subvencionin në mënyrë efektive për ushqim. Kjo situatë reflekton një hendek të thellë mes kostos reale të jetesës dhe shumës së ndihmës që ofrohet, duke nxitur pyetje për efektivitetin dhe drejtësinë e këtij programi mbështetës.

Për këtë, studentja Zehra Miftari thotë për gazetën KOHA se subvencionimi i racionit ushqimor prej 140 denarësh që ofrohet për studentët nuk është i mjaftueshëm as për një vaktë të plotë.

“Udhëtoj çdo ditë nga Kumanova për në Shkup dhe përballem me një ngarkesë të madhe financiare. Çmimi për një biletë udhëtimi është 170 denarë për një drejtim, dhe kështu, çdo ditë kam shpenzime të konsiderueshme vetëm për transportin. Për më tepër, shpeshherë duhet të konsumoj dy vakte ushqimore gjatë ditës. Çmimet e ushqimit janë rritur, dhe kjo shumë nuk është as afër sa për të mbuluar një vakt të vetëm, dhe për ne studentët që udhëtojmë nga qytete të tjera, kjo situatë bëhet edhe më e vështirë. Në këtë mënyrë, shpesh ndodhem përpara dilemës se si të menaxhoj shpenzimet e mia ditore, duke e ditur që ndihma financiare që marr është shumë larg nevojave të mia reale”, theksoi ajo.

Ndërkaq, në konkursin e MASH-it thuhet se studentët kanë të drejtë të përdorin shërbimin nga e hëna në të shtunë, dhe nëse studenti nuk e shfrytëzon të drejtën e vaktit në atë periudhë, shuma e humbet dhe është në dispozicion vetëm deri në fund të javës aktuale, duke përfshirë të shtunën. Kjo rregullore është problematike për studentët, pasi shumë prej tyre mund të kenë angazhime që i pengojnë të shfrytëzojnë këtë mundësi gjatë ditëve të caktuara. Për më tepër, kjo mund të sjellë humbje të subvencionit që mund të përdoret në mënyrë efektive për të mbuluar shpenzimet ushqimore gjatë javës, duke krijuar vështirësi të mëdha për ata që nuk mund ta shfrytëzojnë atë për një periudhë të tillë të ngushtë.

Për këtë, studenti Iljaz Abazi tha se si studentë ai ndjenë pakënaqësi në lidhje me mënyrën si është organizuar përdorimi i subvencionit për racionin ushqimor.

“Kjo është shumë e pafavorshme për shumë studentë që mund të kenë angazhime të ndryshme gjatë javës, si orare të ngjeshura me mësime apo punë, dhe nuk mund të shfrytëzojnë gjithçka në periudhën e caktuar. Në vend që të jetë e mundur përdorimi i këtij subvencioni vetëm për disa ditë të javës, do të ishte shumë më praktike dhe e drejtë që ndihma të mund të shfrytëzohet për të gjithë muajin. Kjo do të ofronte mundësinë që çdo student ta përdorë subvencionin sipas nevojave të tij dhe angazhimeve që ka, duke mos u ndjerë nën presionin e afateve të ngushta. Në këtë formë, do të ishte më e mundur për studentët të menaxhojnë shpenzimet e tyre dhe të përfitojnë plotësisht nga ndihma që ofrohet”, tha ai.

Ndër të tjera, në kumtesën e MASH-it thuhet se të gjithë studentët të cilët i përmbushin kushtet, ndërkaq nuk kanë aplikuar deri më tani, mund të parashtrojnë aplikimin në mënyrë elektronike në faqen “e-uslugi.mon,gov.mk”. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *