Ka një Milan me Gabian e Fofananë dhe një pa ata. Dhe, padyshim, ata janë dy Milanë me ecuri shumë të ndryshme. Të dhënat e fundit tregojnë se “Djalli” në kampionat vjen nga dy ndeshje radhazi pa pësuar.Teorikisht normalitet për një ekip që aspiron kampionatin. Duhet thënë gjithashtu se Fonseka ka ndryshuar praktikisht gjithmonë çiftin qendror të prapavijës. Pjesërisht për shkak të dëmtimeve e pjesërisht për shkak të zgjedhjeve teknike. Një situatë që përfshin rreziqe: në terma të përgjithshëm, të dy në qendër duhet të ndryshojnë sa më pak të jetë e mundur për arsye harmonie, lëvizjesh, leximi të hapësirave. Një gabim në ato territore shpesh kushton një gol.
KONTRIBUTI I GABIAS – Por, brenda togës qendrore, Mateo shquhet për paraqitjen e tij dhe, nga ana tjetër, për atë se sa i jep ekipit. Në tetë ndeshjet në të cilat ishte titullar, Milani pësoi vetëm pesë gola dhe humbi dy herë (Leverkusen e Fiorentina). Pikët mesatare: 1.62. Mesatarja e golave të pësuar për ndeshje: 0.62. Në dhjetë ndeshjet pa Gabian mesatarja e pikëve ra në 1.5 dhe golat e pësuar (17) u shtuan në mënyrë dramatike: 1.7 për ndeshje, më shumë se dyfish në krahasim me kohën kur mbrojtësi është në vendin e tij.
EKULIBRI I FOFANASË – Ndaj Empolit, Jusuf Fofana dukej si një profesor në mesin e fushës, duke udhëhequr presionin sulmues që nga mesi i pjesës së parë dhe duke bërë detyrën hyri direkt në aksionet e golit të parë dhe të tretë. Si? Rikuperimi i topave, specialiteti i tij, por edhe leximi i situatave para të tjerëve. Për mirë apo për keq, Fofana është një lojtar themelor në dinamikat kuqezi të cilin Fonseka e ka pasur në mendje për Milanin e tij që nga fillimi i sezonit. Vështirësitë e fillimit erdhën për shkak të mungesës së një përgatitjeje të mirëfilltë, pas një verë të kaluar te Monakoja gati për t’u larguar. Me “Djallin” francezi po tregon gjithë vlerën e tij në dy fazat e lojës.
Që kur u bashkua me kuqezinjtë, Fofana ka qenë titullar (me përjashtim të dyzet e pesë minutave të debutimit të tij si zëvendësues) me paraqitje që janë përmirësuar me topa të rikuperuar, dialog teknik me shokët e tij dhe asiste gjithnjë e më të rëndësishme, si në Kaljari apo në Bratislavë, duke përfunduar triptikun kundër Empolit. Pas 12 paraqitjeve dhe 960 minutave të luajtura në Serinë A, ka disa kategori në të cilat Jusuf Fofana është mbi mesataren për rolin për nga performanca.
Numrat nuk gënjejnë kurrë, përkundrazi, të dhënat e “OPTA” vërtetojnë atë që tashmë mund të kuptohet me sy të lirë në fushë. Jo vetëm që francezi është një çelës themelor në rikuperimin e topit kur bën presion, por me aftësinë e tij teknike ai është i aftë të shndërrohet në një lloj regjisori me pasime të sakta dhe shpesh vertikale për shokët e tij. Më shumë sesa mesatarja e kolegëve të tij në kampionat.
PANORAMASPORT.AL