December 23, 2024
Capture-2.png


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku i cilësoi akuzat për portin e ri të Durrësit si një luftë kundër Shqipërisë në hartën e Mesdheut si pikë e re e rrjetit të tregtisë navale. Sipas ministres, kjo luftë që po bëhet nga “ata që e kanë djegur vendin për interesat e tyre”, është e humbur.

“Lufta kundër projektit strategjik të portit të ri të Durrësit është luftë kundër vendosjes së Shqipërisë në hartën e Mesdheut si një pikë e re e rrjetit të tregtisë navale. Është luftë kundër fuqizimit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si pjesë integrale të projektit të portit të ri, ku në Prishtinë dhe Shkup do të ndërtohen dy porte të thata të lidhura me Durrësin.

Është luftë kundër hekurudhës Durrës – Prishtinë dhe Korridorit 8 që pa portin e ri të Durrësit nuk bëjnë asnjë sens. Është luftë kundër sigurisë së Shqipërisë dhe rajonit, që me krahun ushtarak të NATO-s në projektin e portit të ri të Durrësit ngrihet në një nivel tjetër. Është luftë kundër vetë interesit strategjik të Shqipërisë dhe prandaj është një luftë e humbur, e cila bëhet nga ata që kanë dhënë prova se edhe e kanë djegur Shqipërinë për interesat e tyre.

Sot u ka mbetur vetëm balta që edhe e eksportojnë jashtë në media të huaja, për t’u dukur më të besueshëm kur e hedhin pastaj këtu. Por sa më shumë baltë të hedhin, aq më thellë ajo baltë do t’i përpijë pranverën që vjen, kur do ta marrin përgjigjen jo me baltë, po me votat e shqiptarëve.

Shqipëria2030 ka dalë tanimë nga balta dhe as nuk ndalet më as nuk kthehet më kurrë në baltën e atyre që luftojnë kundër interesave të saj. Ajo do të ecë edhe më shpejt për t’u ulur në tryezën e Bashkimit 🇪🇺Evropian falë mandatit të katërt për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Pikë!”, ka shkruar ministrja.

Reagimi i ministres vjen pas deklaratës së kreut të PD-së Sali Berisha, i cili hodhi akuza në drejtim të qeverisë mbi këtë projekt, dhe kërkoi ngritjen e një komision hetimor parlamentar.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *