Ka grupe të qytetarëve, të cilët kërkojnë edhe vendosjen e video-kamerave në disa pjesë të qytetit ku ka edhe dëmtime të pasurisë së përbashkët. Dibranët thonë se dëmtimet mund të kenë edhe tendenca të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe provokime politike, ose janë grupe të cilët duan të tregojnë “fuqinë” e tyre në qytet. Por, për çudi, vandalët mbeten edhe më tej pa emër dhe mbiemër
Vjollca SADIKU
Dibër, 29 nëntor – Tanimë një kohë të gjatë, në qytetin e Dibrës, janë regjistruar shumë aktivitete vandale dhe në shënjestër ka qenë prona e përbashkët. Persona tani për tani të panjohur, për çudi, kanë dëmtuar disa ulëse në shëtitoren e qytetit, si dhe në parkun e Lagjes të Re dhe rrugën rekreative që fillon nga qyteti e përfundon në bregun e liqenit të Dibrës. Nuk është rasti i parë dhe i fundit, meqë në të kaluarën – dëmtime vandale ka patur në pajisjet e këndit për fëmijë në afërsi të çerdhes “Breshia” në parkun e ri si edhe në oborret e disa shkollave. Problemi në fjalë po dëmton pasurinë e qytetarëve, por njëkohësisht irriton dibranët edhe për faktin se deri tani, askush nga vandalët nuk është kapur dhe nuk është ndëshkuar. Pushteti vendor i Dibrës në kontinuitet kërkon nga kompetentët të gjenden dhe të dënohen keqbërësit, por deri sot ata mbeten anonim.
Dëmtimi i ulëseve ka irrituar dibranët, meqë problemet e këtij lloji kanë filluar të shpeshtohen. Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka ka informuar se vandalët kanë thyer qëllimisht ulëset në shëtitoren e qytetit, por edhe në disa pjesë të tjera të qytetit. Ai i ka dënuar këto akte, ndërsa ka kërkuar nga institucionet të ndërmarrin masa për ti gjet vandalët. Disa nga anëtarët e Këshillit të Komunës Dibër, po ashtu thonë se dëmtimet e pasurisë së përbashkët të qytetarëve janë të qëllimshme dhe irritojnë popullatën dhe normalisht edhe pushtetin vendor.
Në Komunën Dibër, po ashtu para disa kohësh kanë informuar se tërësisht ishin dëmtuar pajisjet e lojërat në këndin për fëmijë, për të cilin ishin ndarë mjete nga buxheti komunal. Rastet e dëmtimeve ka patur edhe në disa pjesë të tjera që qytetit.
“Disa ulëse nga parku i ri i qytetit, para disa netësh janë dëmtuar, thyer dhe pastaj janë hedhur në rrugën e liqenit. Është e qartë se ulëset janë shkatërruar qëllimshëm. Ata kanë qenë të vendosur në Parkun e Ri, në afërsi të vendbanimit të ri ‘Venec 1’. Ishin ulëse moderne, të ndërtuara nga metali dhe dru special, dhe duket se dëmtimet janë bërë me pajisje metalike, dhe qëllimi ka qenë vetëm që të bëhet dëm. Ne si banorë të kësaj lagje jemi të irrituar dhe nuk e kemi të qartë se përse kjo ndodh në Dibër”, thotë për gazetën KOHA, Xhevat Telqiu, banori i kësaj lagje. Ai shton se dëmtimet vandale po ndodhin në hapësira publike e askush nuk i gjen autorët. Ai dhe disa banorë të tjerë që jetojnë në afërsi të parkut, thonë se kanë patur edhe një takim me kryetarin Hekuran Duka me qëllim që të bëhet sanimi i ulëseve, dhe ata ti kthehen parkut, ku rekreohen një numër i madh i dibranëve.
Ka grupe të qytetarëve, të cilët kërkojnë edhe vendosjen e video-kamerave në disa pjesë të qytetit ku ka edhe dëmtime të pasurisë së përbashkët. Dibranët thonë se dëmtimet mund të kenë edhe tendenca të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe provokime politike, ose janë grupe të cilët duan të tregojnë “fuqinë” e tyre në qytet. Por, për çudi, vandalët mbeten edhe më tej pa emër dhe mbiemër. (koha.mk)