Postuar: Nëntor 29, 2024 | 16:32
Lista e kandidatëve për çmimin “The Best” që jepet nga FIFA ka sjellë reagime sidomos në Itali. Shkak është bërë fakti që FIFA ka përfshirë mes kandidatëve për trofeun Lionel Mesin, por ka lënë jashtë Lautaro Martinezin, i cili ka fituar edhe trofe individual të golashënuesit më të mirë, ndryshe nga “Pleshti” i cili nuk ka fituar asgjë as me klubin përkatës.
Ka qenë vetë presidenti i Interit, Bepe Marota, ai i cili ka shprehur hapur pakënaqësinë e zikaltërve për këtë vendim të pakuptueshëm sipas tyre.
“Është e jashtëzakonshme dhe zhgënjyese që Lautaro Martinez nuk është marrë në konsideratë mes kandidatëve të “The Best’ pas një sezoni të jashtëzakonshëm. Paraqitjet e tij të jashtëzakonshme kontribuuan që të çonin Interin te një arritje historike dhe përfaqësuesen e Argjentinës te fitorja e Kupës së Amerikës, te e cila ishte golashënuesi më i mirë. Lautaro meriton më shumë respekt dhe një njohje më të gjerë”, tha Marota duke komentuar vendimin e FIFA-s.
“Ky përjashtim duket se injoron jo vetëm shifrat dhe sukseset. Por gjithashtu edhe impaktin që kishte lojtari në ndeshjet vendimtare. Është një sinjal negativ, duhen vlerësuar lojtarët që spikatin në mënyrë kaq të rëndësishme. Shpresojmë që në të ardhmen të ketë një njohje për ata të cilët si Lautaro, vazhdojnë të shkëlqejnë në fushën e lojës”, ishin fjalët e tij kundër FIFA-s.
PANORAMASPORT.AL