December 23, 2024
1111REDAKT.Po-mbetemi-peng-i-politikaneve-te-mesjetes.jpg


Për tu integruar në Bashkimin Europian, sipas kryeministrit Mickoski Maqedonia e Veriut ka sakrifikuar më shumë se çdo vend anëtarë i saj, ndaj ndryshimet kushtetuese me afat të prolonguar janë vijat e kuqe të ekzekutivit të Shkupit

Ersan PAJAZITI

Shkup, 29 nëntor – Përderisa zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian vazhdojnë të kërkojnë miratimin e ndryshimeve kushtetuese nga Maqedonia e Veriut për të zhbllokuar procesin e integrimit, Qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski mbetet në qëndrimin e saj për ndryshime kushtetuese me afat të vonuar. Në një deklaratë për mediat, Mickoski theksoi se kjo është alternativa e vetme e pranueshme për qeverinë e tij në rrugën drejt negociatave me BE-në, duke shprehur pakënaqësi për marrëveshjet bilaterale që, sipas tij, po bllokojnë progresin e vendit. Për tu integruar në Bashkimin Europian, sipas kryeministrit Mickoski Maqedonia e Veriut ka sakrifikuar më shumë se çdo vend anëtarë i saj, ndaj ndryshimet kushtetuese me afat të prolonguar janë vijat e kuqe të ekzekutivit të Shkupit.

“Është gënjeshtër ajo se ndonjëherë kemi thënë se kërkojmë ndryshim të kornizës negociuese, edhe pse ajo është katastrofale, më e keqja e mundshme. Nuk e di se kush mund të jetë ai që mund të jep garanca se nuk do të ketë bllokime me marrëveshje bilaterale në kornizën negociuese. Garancën e vetme që na e dhamë është prezantuar para partnerëve tanë strategjik dhe ajo është maksimumi që mund të bëjmë, për shkak se edhe si popull, edhe si shtet kemi bërë atë që të gjithë bashkë nuk e kanë bërë. Nuk kemi më çfarë të bëjmë, ne si qeveri më shumë se kjo nuk mund të bëjmë dhe as që do të bëjmë, kjo është vija jonë e kuqe”, theksoi Mickoski, i cili informoi se më 3 dhjetor do të ketë takim bilateral me presidentin e ri të Këshillit të Evropës, Antonio Kosta, të cilit do ti shpreh qëndrimin e Qeverisë së Shkupit lidhur me ndryshimet kushtetuese. Mickoski më tej tha se vendi ka harmonizuar tërësisht politikën e saj me atë të BE-së dhe nuk është fer që të ngec në këtë proces për arsye të çështjeve siç i quan ai mesjetare.

“Nëse dikush atje në Bruksel ka vendosur që të jetë peng i politikanëve të mesjetës të cilët vijnë nga vendet anëtare në Bashkimit Europian, nëse dikush ka vendosur që të jetë peng i bilateralizmit, në rregull e kuptojmë, le të na lënë ti kryejmë detyrat tona të shtëpisë. Ne kemi politikë tërësisht të harmonizuar me BE-në, nuk jemi rrezik, krejtësisht do ti përcjellim. Ata le të udhëheqin, ne do ti ndjekim dhe nëse ato mendojmë që ne nuk e meritojmë në principin e veprave, e jo në princip të bileteralizmit dhe çështjeve të mesjetës, ajo është e drejta e tyre. Ne duam të jemi pjesë e BE-së, jemi të gatshëm të bisedojmë me këdo në çfarëdo kohe dhe kudo. Nëse ata nuk janë të gatshëm tani, do të presim kur të jenë të gatshëm. Në ndërkohë, le të na lënë të kryejmë detyrat tona të punës, të bëjmë projekte, të rrisim rrogat, pensionet, të bëjmë reforma, të sjellim investime. Këto janë detyrat tona të shtëpisë”

Megjithatë nga Brukseli disa herë e kanë bërë të qartë se ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar siç kërkohen nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk janë opsion. Në fakt, këtë e ka thënë tha në një takim me gazetarët maqedonas në Strasburg, edhe reporteri i sapoemëruar për Maqedoninë nga Parlamenti Evropian, Tomas Vajc.

“Unë dyshoj se kërkesa e Qeverisë së Maqedonisë për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar mund të kalojë. Ajo që është legjitime është se Qeveria kërkon qartësi të kërkesave, por nuk besoj se do të kalojë kërkesa për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar. Duhet gjetur garanci se nuk do të ketë më bllokime. Për momentin nuk e di zgjidhjen e saktë, por për pesë deri në gjashtë muaj mund të thuhet një zgjidhje më konkrete”. Edhe komisionerja e re evropiane për zgjerimin e BE-së, Marta Kos, ishte e drejtpërdrejtë dhe e qartë se BE-ja pret që Maqedonia të ndryshojë Kushtetutën, ose siç tha ajo, asgjë më shumë, asgjë më pak. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *