Deklarata e Popovit se ideja e një Akademie Shqiptare është irracionale dhe e pabazuar, ka sjellë reagimin e Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Shkencë dhe Art – Akademia. Vazhdimësi e politikave që dëmtojnë shqiptarët, nxitje të mos tolerancës etnike dhe një dëshmi të punës dhe lidershipit të dobët të këtij institucioni, theksojnë nga shoqata Akademia
Evis HALILI
Shkup, 29 nëntor – Deklarata e dy ditëve më parë e kryetarit të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, Zhivko Popov, se propozimi për themelimin e një Akademie Shqiptare është irracional dhe i pabazuar, ka sjellë reagimin e Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Shkencë dhe Art – Akademia. Ata shprehin shqetësimin nga fjalimi i Popovit, si një vazhdimësi e politikave që dëmtojnë shqiptarët, nxitje të mos tolerancës etnike dhe një dëshmi të punës dhe lidershipit të dobët të këtij institucioni. Nëse ky institucion, thonë nga shoqata, do të kishte pasur cilësi të larta hulumtuese gjatë 57 viteve të kaluara, nuk do të ishim në situatën e aktuale, ku 30 vite janë humbur në konteste me fqinjët, që përfunduan me dështim në rastin me Greqinë.
“Akademia jonë e sheh këtë si vazhdimësi të politikave që dëmtojnë interesat e shqiptarëve si një proces të shëmtuar të politizimit të Akademisë… Sot, Shkupi, Strumica, Manastiri, Tetova dhe Kërçova janë ndër 10 qytetet më të ndotura në botë. Kryeqyteti është i ngulfatur, i dërmuar me transportin publik të rënë përtokë. Dje, shkencëtarët e MANU-s nuk e përmendën pse nuk kanë parashikuar këto probleme dhe nuk kanë ofruar asnjë debat profesional”, thuhet në reagim. Ata theksojnë se përpjekjet e AMSHA për të politizuar të drejtat e shqiptarëve, në vend që të angazhohen në kërkime shkencore, e kanë motivuar shoqatën të realizojnë misionin e tyre.
“Ligji aktual për gjuhët, megjithatë, është diskriminues për shqiptarët dhe është nën nivelin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve, siç përcaktohet në Kushtetutën e vitit 1974, ku shqiptarët ishin një nga popujt shtetformues dhe maqedonishtja dhe shqipja ishin të barabarta”, thuhet në reagim.
Me rastin e 57-vjetorit të themelimit të AMSHA, kreu i saj, Zhivko Popov, ndër të tjera deklaroi se ekziston vetëm një akademi maqedonase që përfaqëson shtetin dhe të gjitha bashkësitë. Sipas tij, janë të pabaza edhe pikëpamjet e qarqeve individuale, politike dhe intelektuale se profesorët dhe intelektualët e etnisë shqiptare nuk kanë ku të kryejnë kërkime shkencore. Sipas tij, këtë mund ta bëjnë në të tre universitetet shtetërore ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, si dhe në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
“Në fakt, anëtarët e AMSHA e bëjnë pjesën më të madhe të kërkimit në UKIM dhe në universitete dhe institute të tjera shtetërore dhe institute shkencore, jo vetëm në vetë akademi. Këto fakte tregojnë qartë se nuk ka vend për politika dhe manipulime në radhët akademike”, ka thënë Popov. Sa i takon Ligjit për gjuhën shqipe, Popov ka theksuar se askush në Akademi, nuk beson se përdorimi i gjuhës shqipe duhet të hiqet, por përkundrazi, duhet të rregullohet në zgjidhjen ligjore dhe të specifikohet në fusha të caktuara, për të përmirësuar zbatueshmërinë e tij. Por, sipas tij, në sfera të caktuara delikate, si shëndetësi, gjyqësor, polici, duhet të përdoret vetëm një gjuhë e përgjithshme për t’u kuptuar – që në këtë rast do të ishte maqedonishtja. (koha.mk)