
Lushnja ka marrë 15 pikë në 13 javë të luajtura në kampionat, e njëjta kuotë pikësh si në sezonin e shkuar. Pas humbjes në Pogradec, Lushnja ka humbur edhe një vend në renditje, duke u renditur teta. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Erion Xhafa shpjegon situatën te verdhejeshilët, si dhe pritshmëritë.
Një gol i pësuar në Vlorë dhe një penallti e humbur në Pogradec, në minutat shtesë, përkthehen në pikë të humbura. Si e shpjegoni këtë?
Janë episode, ku në këto dy takime mund të kishim marrë pikë. Fati deshi të kundërtën edhe pse ndeshjet ndryshojnë nga njëra-tjetra.
Skuadra po humbet sistematikisht në transfertë. Çfarë po ndodh dhe çfarë duhet bërë më tepër?
Unë mund të flas për dy transfertat që janë zhvilluar nën drejtimin tim. Me Flamurtarin është luajtur një futboll i mirë, duke qenë dhe dominant ndaj ekipit që kryeson kampionatin. Sigurisht, meritonim shumë më shumë se sa morëm nga kjo ndeshje. Në transfertën e Pogradecit nuk luajtëm mirë. I kemi falur një pjesë loje liqenorëve, ishim të pavëmendshëm në rastin e golit të pësuar. Kemi humbur thuajse të gjitha dyluftimet, si në fazën mbrojtëse, por edhe atë sulmuese. Në fund, të gjitha këto paguhen. Në pjesën e dytë kemi ndryshuar. Kemi luajtur më mirë duke fituar terren, duke krijuar dhe raste, por që nuk ishin të mjaftueshme. Gjithsesi, ekipi ka qenë brenda ndeshjes dhe në fund mund të kishim marrë një pikë.
Nën drejtimin tuaj, ekipi ka marrë 6 pikë në 5ndeshje.Si e shpjegoni?
Nga pesë ndeshjet e drejtuara nga unë, në katër prej tyre ekipi ka luajtur mirë. Përjashto këtu Pogradecin, ku mund të kishim marrë një pikë. Ekipi ka dominuar, ka krijuar raste dhe ka qenë gjatë gjithë kohës në kontroll të ndeshjes. Me pak fat, duhet të kishte marrë më shumë pikë. Mendoj se rruga e vetme është puna. Duhet të vazhdojmë të punojmë edhe më fort, me kokën ulur dhe të pranojmë kritikat duke marrë përgjegjësi, nga unë i pari. Kemi besim te forcat tona dhe i kemi të gjitha kapacitetet të bëjmë edhe më mirë.
Renditja nuk është e mirë, vetëm +2 pikë nga zona “play out”…
Jemi +2 pikë nga zona “play out” dhe 3 pikë larg zonës “play off”. Ekipet janë të ngjeshura dhe kampionati është i vështirë. Fokusi ynë është te puna dhe rritja e çdo lojtari të ekipit. Kjo përkthehet në rritjen e të gjithë skuadrës. Kjo kërkon kohë dhe sigurisht duhet të përballesh me pengesat që dalin rrugës e që të ngadalësojnë hapin. Ky është futbolli dhe duhet të jemi të fortë psikologjikisht. Të ringrihemi gjithmonë dhe të vazhdojmë rrugën që kemi nisur.
Kalendari ju servir dy ndeshje në shtëpi. Si e shikoni sfidën e radhës me Kastriotin?
Ne shikojmë gjithmonë ndeshjen e radhës dhe jo kalendarin. Çdo ndeshje ka vështirësinë dhe specifikën e vet. Jemi të përqendruar vetëm te Kastrioti. Do ta përgatisim ndeshjen për ta fituar.
Referuar kalendarit, a është një mundësi për të mbyllur 2024-ën në gjashtëshe?
Ndeshjet do t’i marrim gjithmonë një e nga një. Në fund do të shohim ku do të jemi.
6 pikë ka marrë Lushnja në pesë ndeshjet e drejtuar nga trajneri Eron Xhafa, i cili zëvendësoi Gugash Maganin. Lushnjarët kanë grumbulluar 15 pikë në 13 javë, duke qenë të distancuar ndjeshëm me kreun e renditjes.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
