June 6, 2025
1111REDAKT.Nga-300-ne-15-milione-denare-1.jpg


Në dokumentin “Propozim-buxheti i vitit 2025”, Ministria e Kulturës ka akorduar jo më shumë se 15 milionë denarë në zërin – Teatri dhe Biblioteka e Tetovës, duke devijuar mbi 20 fish më pak nga shuma e parashikuar për vitin 2025, që duhej të ishte 300 milionë denarë. Nuk është hera e parë që ministria shënon dhe korrigjon fondet për ndërtimin e këtij objekti, por ky u radhës, nëse nuk është një gabim, është shkurtimi më i madh që i bëhet, duke vënë në pikëpyetje afatin e përcaktuar nga vetë MKT për dorëzimin e objektit, që supozohej të ishte viti 2027

Evis HALILI

Shkup, 27 nëntor – Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka reduktuar në formën më të mundshme drastike mjetet financiare që do të vihen në dispozicion të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Në dokumentin “Propozim-buxheti i vitit 2025”, Ministria e Kulturës ka akorduar jo më shumë se 15 milionë denarë për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës, duke devijuar mbi 20 fish më pak nga shuma e parashikuar për vitin 2025 që duhej të ishte 300 milionë denarë, shkruan gazeta KOHA.

Nuk është hera e parë që Ministria e Kulturës shënon dhe korrigjon fondet për ndërtimin e këtij objekti, por ky i radhës, nëse nuk është një gabim, është shkurtimi më i madh që i bëhet, duke vënë në pikëpyetje afatin e përcaktuar nga vetë Ministria për dorëzimin e objektit, që supozohej të ishte viti 2027.

PROJEKTI I NISUR QË NË 2014

“Ky projekt ka nisur që në vitin 2014, ndërsa që nga viti i kaluar filloi realizimi i fazës për kryerjen e të gjitha punimeve montuese, mekanike dhe teknike të skenës, rregullimin e brendshëm dhe mobilimin e objektit. Ky projekt është shumëvjeçar dhe sipas dinamikës së burimeve financiare të siguruara, duhet të përfundojë brenda vitit 2027”, pati deklaruar në muajin prill ish-ministrja Bisera Kostadinova Stojçevska.

Kostoja totale e këtij objekti duhet të jetë 1.450.000.000 denarë. Për këtë vit u vunë në dispozicion 200 milionë denarë dhe parashikoheshin që për vitin 2025 – të akordoheshin 300 milionë denarë, ndërsa për 2026 – 330.500.000 denarë. Drejtori i ri – ushtrues detyre i Qendrës së Kulturës në Tetovë, i angazhuar për të mbikëqyrur projektin, Fatlind Ajdini, nuk është në dijeni të buxhetit për vitin e ardhshëm.

“Mund të them se punimet vazhdojnë dhe nga ajo çfarë është realizuar gjatë këtij viti, gjithçka shkon si duhet”, thotë Ajdini. Në projektin-buxhetin e vitit 2025, Ministria e Kulturës radhit si prioritete decentralizim në kulturë, Ligjin e ri të Kulturë, ndryshime të Ligjit të drejta te autorit, Ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë, Ligjit për çmimet shtetërore…, Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e kulturën për periudhën 2025-2029 dhe përgatitjen e një Strategjie kombëtare për mbrojtjen dhe përdorimin e trashëgimisë kulturore.

28 NËNTOR, 10 VJET NGA VENDOSJA E GURTHEMELIT NË TETOVË

Të enjten mbushen plot dhjetë vjet nga vendosja e gurthemelit për realizimin e projektit kapital Teatri dhe Biblioteka e Tetovës. Një projekt ambicioz, që erdhi disa vjet pas themelimit të Teatrit të Tetovës. Në vite, nisja, avancimet apo pezullimet e punimeve, përcaktimi i afateve të përfundimit dhe korrigjimi i datave janë përdorur dhe keqpërdorur politikisht në maksimum, sidomos gjatë fushatave zgjedhore.

Punimet u zvarritën në vite, pavarësisht  premtimeve deklarative të ministrave për “përshpejtim, dinamika të reja, prioritete”, duke filluar nga ish ministrja e Kulturës, Elisabeta Kançevska Milevska, Robert Allagjazovski, i pasuar nga dy ministra shqiptarë – Asaf Ademi (qershor 2018-qershor 2019) dhe Hysni Ismaili (qershor 2019-gusht 2020), periudhë kjo që nuk ndryshoi asgjë sa i takon ecurisë së realizimit së dy projekteve kapitale për kulturën shqiptare (Teatri dhe Biblioteka Tetovë dhe Teatri Shqiptar të Shkupit).

Dy ministret e tjera ishin Irena Stefoska (16 muaj) dhe Bisera Kostadinova Stojçevska (2 vjet),  duke përfunduar tek  Zoran Lutkov, ministri i shtatë që do të duhet të përcaktojë një datë të re. Disa ditë më parë, gjatë një vizite në Teatrin Popullor në Shkup, Lutkov i pyetur lidhur me ecurinë e punimeve për projektin Teatri dhe Biblioteka, nuk ka deklaruar asgjë konkrete, ndërsa ka shtuar se planifikon të vizitojë objektin. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *