June 6, 2025
1111REDAKT.Shkupi-gare-me-Tiranen.jpg


Qeveria e Maqedonisë planifikon vendosjen e fluturimeve në drejtim të SHBA-ve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit. Ambicie të ngjashme ka shfaqur edhe Shqipëria

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 27 nëntor – Qeveria e Maqedonisë planifikon vendosjen e fluturimeve në drejtim të SHBA-ve, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, paralajmëroi se tashmë kanë filluar të punojnë në këtë drejtim dhe se është i vetëdijshëm se është një ambicie e madhe. “Qeveria ka plane për organizimin e fluturimeve ndërkontinentale nga aeroporti i Shkupit, që do të jetë rast unik jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin. Tashmë kemi filluar punën për të dhe besoj se është një ambicie e madhe, por do të përfitojmë shumë prej saj. Kjo do të jetë e një rëndësie të madhe për të gjithë vendin sepse kemi një diasporë të madhe që dëshiron të fluturojë pa ndalesë nga Shkupi, por do të ndihmojë edhe në tërheqjen e turistëve jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon”, tha Nikollovski.

Ai nuk specifikon se si do të vendosen fluturime të gjata nga Shkupi. Në vitin 2017, qeveria e atëhershme e Maqedonisë ka diskutuar për futjen e fluturimeve nga Shkupi për në SHBA dhe Kanada me menaxherin e Turkish Airlines, Bilal Eksi. Maqedonia dhe Turqia kanë një marrëveshje qielli të hapur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë që lejon një linjë ajrore turke të fluturojë drejt këtyre destinacioneve.

Por, që Shkupi të sigurojë fluturime për në SHBA, do të duhet t’i nënshtrohet një auditimi nga autoritetet amerikane. Përveç kësaj, është e paqartë nëse aeroportet e Maqedonisë kanë kapacitet dhe përmbushin kërkesat për fluturime transoqeanike. Qysh në vitin 2013, Maqedonia nënshkroi marrëveshje me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë që mundësojnë lidhje direkte ajrore. Njëherësh lidhje direkte nga Shkupi me një nga qendrat amerikane ishte paralajmëruar menjëherë pas hapjes së aeroportit të ri “Aleksandri i Madh” në vitin 2011, por që atëherë gjërat nuk kanë lëvizur. Shtatë vite më parë nga Aeroporti Aleksandri i Madh i Shkupit deklaruan se janë të gatshëm të ofrojnë “mbështetjen më të madhe” për linjën ajrore që do të ofrojë fluturime transatlantike nga Shkupi.

Ekspertët theksojnë se krijimi i shërbimeve transatlantike mbart disa rreziqe. Para së gjithash, nevojitet një bazë e madhe pasagjerësh me kërkesa të mjaftueshme për të ofruar fluturime transatlantike nga çdo destinacion. Maqedonia është një vend relativisht i vogël, por ka një diasporë prej rreth 200.000 qytetarë në SHBA dhe Kanada. Rreziku këtu është që diaspora të mos jetë e përqendruar në një qytet apo rajon atje, gjë që e bën edhe më të vështirë kërkesën për të akomoduar një fluturim të planifikuar me 300 ulëse.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka paralajmëruar se shumë shpejt do të ketë fluturime direkte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur kryeministri Rama, gjatë takimit të tij me qytetarët shqiptarë në Nju -Jork. Kreu i 2everisë shqiptare tha se aktualisht Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po negocion me kompaninë amerikane “Delta” për fluturime direkte. “Ajo që më jep kënaqësi është se kompania Delta ka shprehur interes është se edhe tur-operatorët në Amerikë kanë kërkesa të rritura nga qytetarët amerikanë për të vizituar Shqipërinë me fluturime direkte”, u shpreh Rama. Ndërkohë që aeroporti ndërkombëtar i Vlorës, do të jetë aeroporti me pistën më të gjatë në rajon, është bërë e tillë edhe për fluturimet transoqeanike.

Më herët, presidenti i “Kastrati Group”, Shefqet Kastrati është shprehur në një intervistë televizive se Aeroporti i Tiranës po punon për një projekt tepër ambicioz, për të bërë realitet një ëndërr të hershme të shqiptarëve, jo vetëm atyre këtu, por edhe atyre që jetojnë në SHBA, atë të vendosjes së fluturimeve direkte dhe se po synohet linja Tiranë-Nju Jork.

“Kemi nisur tashmë me projektin tonë për zgjatimin dhe riveshjen e pistës së aeroportit, e cila pritet të mbarojë në verën e vitit 2025 dhe besoj në atë periudhë, aeroporti do të jetë gati të presë avionët e mëdhenj për fluturime transoqeanike”, ishte shprehur në atë rast z. Kastrati. Lidhja e drejtpërdrejtë me Amerikën do të ndikojë shumë në rritjen e turizmit edhe nga vizitorë përtej Atlantikut, por më e rëndësishmja, do të lehtësojë shumë vizitat e diasporës shqiptare në vendin e tyre, tha Kastrati, teksa shtoi se entuziasmi i marrë prej shqiptarëve në Amerikë për këtë plan, e ka kthyer në mision realizimin e kësaj ëndrre disa-vjeçare. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *