Postuar: Nëntor 25, 2024 | 23:30
Pep Guardiola pranoi se problemet e Mançester Siti janë në kokën e tyre pasi kampionët e Premier Ligës humbën një ndeshje të paprecedentë të pestë radhazi. Totenhemi mposhti Sitin 4-0 në “Etihad Stadium”, me Xhejms Medisonin, i cili shënoi një dygolësh, rezultat që u kthye në një asist për Liverpulin në garën për titull. Siti shkon në “Anfield” të dielën dhe Liverpuli ka thelluar në +11 pikë diferencën me ndjekësit.
Kjo është forma më e dobët në karrierën e Guardiolës dhe humbja më e thellë e Sitit në shtëpi në 21 vjet. Gjithashtu, ajo i dha fund rekordit të tyre prej 52 ndeshjeve pa humbje në “Etihad”. Disfata e tyre e fundit në shtëpi në Premier Ligë ishte kundër Brentfordit në nëntor 2022, kur Ivan Tonej shënoi një dopietë, përfshirë golin e fitores në 98’. Kjo ishte gjithashtu humbja më e thellë e Sitit në shtëpi që kur ata u zhvendosën nga “Maine Road” në vitin 2003 dhe barazoi humbjen më të thellë të Guardiolës në karrierë.
“Në tetë vjet ne nuk kemi jetuar kurrë një situatë të tillë”, tha Guardiola. “Tani duhet ta jetojmë dhe ta thyejmë atë duke fituar ndeshjet e radhës, veçanërisht atë të radhës. Tani ne i shohim gjërat në një mënyrë, ndoshta pas disa javësh do t’i shohim ndryshe. Ne jemi pak të brishtë, kjo është e qartë. Ne kemi vuajtur që të shënojmë dhe më pastaj ka pak negativitet në mendimet tona. Kishte disa arsye që nuk jemi në gjendje të kemi vazhdimësi. Tani ekuilibri nuk është në momentin e duhur. Por ndodhi.
Duhet ta bëjmë, të flasim dhe të martën kundër Fejnordit (në Champions) të kemi shansin të provojmë. Shpresoj që lojtarët të më ndjekin”. I pyetur nëse gara për titullin do të ketë përfunduar nëse Liverpuli pasi mposhti me përmbysje Sauthemptonin, do të fitonte edhe përballjen direkte në “Anfield” këtë fundjavë, Pep u përgjigj: “Po. Nëse Liverpuli fiton, po”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL