November 23, 2024
sepa-1024x658.jpg


Shqipëria pranohet në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Vendimi është marrë sot nga Këshilli Europian i Pagesave dhe është njoftuar në Bankën e Shqipërisë.

Më datë 13 qershor të këtij vitit, Shqipëria u bë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që aplikoi zyrtarisht për t’u anëtarësuar në SEPA.

Anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë lehtësi të mëdha në kryerjen e pagesave ndërkombëtare me kosto më të ulëta dhe në kohë më të shpejtë. Aktualisht, sektori bankar në Shqipëri i ekzekuton transfertat ndërkombëtare nëpërmjet nëpërmjet bankave të huaja korrespondente. Një zgjidhje e tillë sjell komisione të larta dhe kohë relativisht të gjatë për kryerjen e transfertave.

Sipas analizave të kryera nga Banka Botërore, aktualisht një pagesë nga Shqipëria drejt zonës SEPA sot kushton gati 10 herë më shumë se një pagesë brenda zonës SEPA.

Transferta kërkon disa ditë pune, ndërsa me anëtarësimin në SEPA pritet që paratë të transferohen në llogarinë e përfituesit maksimalisht brenda një dite pune.

Lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë, Bashkimin Europian, pritet të lehtësojë zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare. Bizneset shqiptare do të kenë akses në një treg të madh me mundësi për zgjerimin e shërbimeve dhe produkteve dhe rritjen e konkurrencës.

Pjesëmarrja në SEPA vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në sektorë strategjikë siç është turizmi dhe në rritjen flukseve të lidhura me investimet e huaja direkte. Ulja e kostove të transfertave në euro pritet të ndikojë dhe në formalizimin e flukseve të remitancave.

Projeksionet e Bankës së Shqipërisë janë që në afat të mesëm, ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga aderimi në SEPA. Nga pikëpamja e stabilitetit financiar, pjesëmarrja në SEPA ofron një mënyrë për të adoptuar sisteme më moderne, më të sigurta dhe më eficiente të pagesave elektronike.

Me miratimin e përfshirjes së Shqipërisë në zonën SEPA, institucionet e pagesave duhet të anëtarësohen individualisht për të marrë pjesë në skemat e saj. Integrimi i plotë i institucioneve financiare shqiptare në SEPA dhe nisja e ofrimit të shërbimeve mund të kërkojnë deri në dy vjet kohë

SEPA është një iniciativë e hershme e Bashkimit Europian për harmonizimin e pagesave elektronike në Euro, ndërmjet vendeve anëtare. Skemat e Pagesave SEPA i sigurojnë qytetarëve dhe bizneseve evropiane, pagesa ndërkufitare në monedhën e përbashkët, me të njëjtën kosto dhe lehtësi si pagesat brenda vendit të tyre.

Megjithatë, zona gjeografike SEPA shtrihet edhe jashtë vendeve të BE-së, duke numëruar deri tani 36 vende që kanë harmonizuar standardet për pagesat elektronike në euro.

/Monitor





Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *