
Dhjetëra qytetarë, prindër e fëmijë, kanë dalë sot në protestë pas ngjarjes së rënë të pak ditëve më parë në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli”, ku u vra me thikë në zemër nga një bashkëmoshatar i tij, 14-vjeçari Martin Cani.
Një prej qytetarëve të pranishëm në protestë tregoi se i mituri i ndjerë ishte djali i shokut të tij të ngushtë dhe se dhimba për ta ka qenë e madhe.
“Nuk ka dhimbje më të madhe. Ishte si djali im, sepse është djali i shokut tim të ngushtë. Ai person na ka fut thikën të gjithëve”, tha ai.
Një tjetër qytetare i ka bërë apel shtetit të vërë në zbatim ligjin dhe të marrin përgjegjësinë, ndërsa kërkoi dënim kapital për autorin.
“Apel shtetit shqiptar të mos flej gjumë, të vej ligjin në zbatim. Është e dhimbshme që rrinë nëpër kulluqe pa asnjë shpjegim. Gjithë këta të vrarë, asnjë të dënuar. Krimi do na vijë derë më derë. Nuk ka pse të falim se është i vogël. Institucionet të marrin përgjegjësi. Dënim kapital kërkoj”, tha një tjetër qytetare.