
Pushtetet vendore të Dibër dhe Peshkopisë vlerësojnë se rritja e qarkullimit kërkon që vendkalimi “Bllatë” të fillojë të funksionojë ashtu siç funksionon vendkalimi kufitar “Qafa e Thanës”. Kryetarët e dy komunave, Hekuran Duka dhe Rahim Spahiu kanë kërkuar që vendkalimi kufitar “Bllatë” të ketë një pike doganore të përbashkët, ndërsa apelin ua kanë drejtuar dy qeverive – asaj në Shkup dhe Tiranë
Vjollca SADIKU
Dibër, 21 Nëntor – Në periudhën janar-tetor të këtij viti, është arritur një numër rekord i udhëtarëve në vendkalimin kufitar “Bllatë” mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Të dhënat që i ka publikuar Ministria për Punë të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, thonë se për dhjetë muaj të vitit 2024, në këtë vendkalim kufitar në afërsi të Dibrës janë regjistruar 661 mijë udhëtarë, që paraqet një frekuentim rekord nga momenti i hapjes të këtij vendkalimi kufitar në vitin 1992 e deri sot. Burimi i njëjtë potencon se në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, frekuenca është më e madhe për 49.558 udhëtarë. Nga numri i udhëtarëve 661 mijë, 139 mijë janë udhëtarë nga Maqedonia e Veriut kurse 523 mijë janë udhëtare të jashtëm, kryesisht shtetas të Shqipërisë. Në informatën në fjalë thuhet se qytetarët e Maqedonisë në hyrje janë 52.368, ndërsa pjesa tjetër, nga 85.917 në dalje. Në mesin e shtetasve të huaj janë 282.897 udhëtarë në hyrje dhe 240 mijë në dalje.
Rritja e frekuencës në këtë vendkalim kufitar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë drejtpërdrejt lidhet me shfrytëzimin e Rrugës së Arbërit, nëpërmjet të cilës nga Dibra në Tiranë udhëtohet për afro 80 minuta , meqë tani rruga është shkurtuar nga 170 kilometra në afër 75 kilometra. Banorët e Shkupit, Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës tani për pushime verore për në bregdetin shqiptar udhëtojnë nga Dibra, respektivisht nëpërmjet vendkalimit kufitar “Bllatë”.
Por, ky vendkalim kufitar shfrytëzohet edhe gjatë muajve tjera, meqë afërsia me Tiranën përdoret shpesh nga shtetasit e Maqedonisë së Veriut. Gjatë vikendeve ka pritje të gjata në këtë vendkalim kufitar, pasi shtetasit shqiptar vijnë në Dibër dhe qytetet tjera të Maqedonisë së Veriut për shoping dhe shëtitje, sidomos për blerjen e prodhimeve ushqimore e veçmas për t’u furnizuar me derivate të naftës në pikat e karburanteve në Dibër, ku derivatet janë më të lira për 20 për qind krahasuar me derivatet në Shqipëri. Është i madh edhe numri i shtetasve shqiptarë që vijnë edhe rekreohen në Dibër dhe rrethinë, por edhe për të vizituar banjat e Dibrës – Capa. Nga ana tjetër, edhe shtetasit të Maqedonisë së Veriut, udhëtojnë në qytetet kufitare të Shqipërisë për rekreim, por edhe për të blerë produkte bujqësore, pajisje për ndërtime dhe mobileri. Dibranët vitin që kaloi Rrugën e Arbërirt e kanë përdorur për udhëtime edhe aeroportin e Tiranës, gjë që ka ndikuar edhe në frekuencën e këtij vendkalimi kufitar.
Me këtë rast, pushtetet vendore të Dibër dhe Peshkopisë vlerësojnë se rritja e qarkullimit kërkon që vendkalimi “Bllatë” të fillojë të funksionojë ashtu siç funksionon vendkalimi kufitar “Qafa e Thanës”. Kryetarët e dy komunave, Hekuran Duka dhe Rahim Spahiu kanë kërkuar që vendkalimi kufitar “Bllatë” të ketë një pike doganore të përbashkët, ndërsa apelin ua kanë drejtuar dy qeverive – asaj në Shkup dhe Tiranë. (koha.mk)