Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se Serbia dhe qeveria e Aleksandar Vuçiqit kanë nisur një proces për pengimin e realizimit të Fondit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për Luginën e Preshevës.
Në një status në Facebook ai ka shkruar se një masë e re diskriminuese ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës, po përgatitet nga “marioneta kroate e Aleksandër Vuçiqit, ministrit për të drejtat e njeriut dhe pakicave, Tomislav Zhigmanov”.
Sipas Kamberit ai ka kërkuar nga Këshilli Kombëtar të anulojë konkursin e shpallur për subvencionet në bujqësi, mjete këto të destinuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të përkrahjes institucionale që Republika e Kosovës po ofron për shqiptarët në Luginë të Preshevës.
“Zhigmanov ka kërcënuar se ai dhe ministria e tij do të anulojnë konkusin e KNSH nëse ky i fundit, nuk e anulon vet. Shumë qartë që me këtë kërcënim të ri që Beogradi zyrtar po e jep në adresë të të gjithë shqiptarëve, po tenton të pengojë ndikimin e Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës, të vrasë çfarëdo shprese për një perspektivë më të mirë të shqiptarëve dhe të pamundësojë rimëkëmbjen e bujkut, blegtorit, zanatlisë, mediave, sektorit civil dhe secilës sferë tjetër këtu që mund të ndihmohet nga buxheti i RKS në Luginë”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka akuzuar se në këtë nsimë Beogradin po e ndihmon Alternativa për ndyshim.
“Por, sikurse edhe të pakicat e tjera, ashtu edhe në këtë rast, Beogradi ka gjetur një mashë shqiptare, në fytyrën e një subjekti politik, Alternativës për ndryshim, që ta nisë këtë fazë të re të diskriminimit. Në fakt, Alternativa për Ndryshim i është drejtuar Ministrisë për të drejtat e njeriut dhe pakicave dhe dialogut shoqëror, nga e cila ka kërkuar ndërmarrjen e masave ndaj KKSH-së i cili po e realizon e Fondin të Qeverisë së Republikës së Kosovës dedikuar shqiptarëve të Luginës. Mjerisht, edhe sot, Beogradi po gjen argatët e vet përmes të cilëve bënë diskriminimin ndaj shqiptarëve. Kjo letër inicuese e një subjekti politik shqiptar, që kërkon ndihmë prej Beogradit për të penguar ndikimin e Kosovës në Luginë të Preshevës, po shtrohet si pengesë serioze për realizimin, jo vetëm të subvencioneve në bujqësi, por në tërësi të Fondit që Kosova e ndan për Luginën e Preshevës”, ka shkruar Kamberi.
Sipas tij, “Alternativa për Ndryshim, ndër vite po dëshmon një politikë klienteliste e nënshtruese ndaj Beogradit, por të kërkosh ndihmë nga Beogradi për të penguar ndihmat që Kosova sjell në Luginë, kjo e çon në një shkallë tjetër këtë klientelizëm”.
“Shkresat e tyre kundër mbajtjes së protestave, kundër politikës rezistuese ndaj Beogradit dhe tash edhe kundër 1200 bujqëve të cilët po presin subvencionimin e veprimtarive të tyre nga Qeveria e Republikës së Kosovës, janë dëshmi e qartë e politikës antishqiptare që po gjeneron ky subjekt.Ky është një rast tjetër që dëshmon domosdoshmërinë e vendosjes së reciprocitetit në të drejta mes shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe serbëve në Kosovë. Çfarëdo zgjidhje tjetër çelë konflikte të reja”, ka shkruar Kmaberi.
Ai ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës do të duhet të përdorë këtë rast, sipas tij, të diskriminimit flagrant në takimet e radhës në Bruksel, ndërsa Shqipëria zyrtare ta adresojë nëpër forumet ndërkombëtare.
“Në këtë betejë me Serbinë, shqiptarët e Luginës presin ndihmën e pozitës e opozitës në Prishtinë dhe pozitës e opozitës në Tiranë. Ndërkombëtarët nuk duhet ta heshtin këtë akt jonjerëzorë. Serbia nuk investon në asnjë sektor zhvilimor në Luginë të Preshevës, ajo njëkohësisht pengon çfarëdo iniciative për përmirësimin e gjendjes që vjen si rezultat i bashkpunimit tonë me shtetin amë. Serbia i do shqiptarët në mëshirë të fatit të tyre, duke u pamundësuar çfarëdo iniciative për përmirësimin e gjendjes së rëndë. Racizëm i pastër”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka thënë se edhe kjo masë e re, sikurse, pasivizimi, mosintegrimi, mosnjohja e diplomave janë në funksion të politikës së shpopullimit të Luginës së Preshevës nga shqiptarët.
“Sikurse zakonisht, Serbia, edhe në këtë rast përdorë kalin e trojës nga radhët e tona. APN e ka marrë flamurin me i pri iniciativës për pengimin e realizimit të Fondit të RKS në Luginë. Sot, kur seriozisht po rrezikohet realizimi i Fondit të RKS, secili anëtarë dhe simpatizant dinjitoz i APN, secili bujk, secili blegtorë, secila OJQ, media dhe gjithë segmentet tjera të shoqërisë tonë duhet të shohin qartë se ku na çon politika nënshtruese ndaj Beogradit të Vuçiqit. Çfarëdo klientelizmi, “bashkëpunimi”, pragmatizmi për Beogradin ka vetëm një emërues – nënshtrimin e shqiptarëve. A. Vuçiqi i do shqiptarët e nënshtruar dhe të kontrolluar. Prandaj rezistenca jonë aktive nuk ka alternativë”, ka shkruar Kamberi.