Në këto dy ditë të mbetura përgatitjesh për ndeshjen me Skënderbeun, trajneri Ilir Daja do të vendosë përfundimisht për lojtarët që do të zëvendësojnë ata që mungojnë për Dinamon këtë fundjavë.
Nuk janë pak në fakt dhe situata nuk është komode për kryeqytetasit, edhe pse ata kanë një organikë të pasur. Disa mungesa për shkak dëmtimesh kanë qenë edhe më parë, ndërsa ato që peshojnë më shumë në këtë moment janë Dejvi Bregu dhe Naser Aliji. Të dy këta lojtarë kanë treguar një formë shumë të mirë javët e fundit, duke qenë të rëndësishëm për Dinamon, ndaj dhe në kampin blu ka keqardhje. Bregu nuk do të jetë i gatshëm për skuadrën me shumë gjasa deri në fund të vitit, pasi ka kryer një operacion në gishtin që theu në derbin me Partizanin. Për Alijin ka një shqetësim muskulor dhe nuk duket ndonjë dëmtim serioz, por ish-lojtari i Kombëtares e ka humbur transfertën me Skënderbeun, sepse këto ditë ka bërë vetëm terapi.
LËVIZJET – Në këto kushte, trajneri Ilir Daja është i detyruar të bëjë disa lëvizje në formacion, krahasuar me javët e fundit. Shqetësimi kryesor i tij është reparti i mbrojtjes, sepse përveç Alijit nuk janë në dispozicion as Muzek e Hoxha, të dëmtuar prej shumë javësh.
Edhe Rufati po ashtu ka pasur një dëmtim dhe së fundi është bashkuar me grupin në stërvitje, por ndoshta mund të jetë në stol në Korçë. Miço mbetet kandidati kryesor për të luajtur me kapitenin Dita në dyshen e qendrës, por nuk përjashtohet ndonjë surprizë e trajnerit Daja me ndonjë modifikim të mundshëm. Meksi dhe Lorran janë dy titullarët e krahëve. Për mesfushën nuk pritet të ketë lëvizje, me Tolin, Gudiabin dhe Qefalijën që janë më të kuotuarit për ta nisur nga minuta e parë.
Për të kaluar në sulm, ku Mandela dhe Zabërgja janë dy titullarë të padiskutueshëm. Për vendin e Bregut janë disa alternativa, me në krye Lorenco Vilën, por edhe me Karambën dhe Zhordin si mundësi. Deri të shtunën trajneri Daja do të bëjë disa prova dhe do të zgjedhë më të mirët për të synuar rikthimin te fitorja në kampionat. Për ata që presion shansin e të luajturit në formacion është mundësia më e mirë për t’i dhënë një sinjal trajnerit.
F.RUPI-PANORAMASPORT.AL