
Asamblisti i VV-së në komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, ka thënë se LDK-ja po e falimenton ndërmarrjen “Pastrimi”, pasi Komuna po planifikon të nënshkruajë një kontratë kornizë me vlerë 16.5 milionë euro, me kohëzgjatje 3 vite, për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet
“Komuna e Prishtinës po planifikon të nënshkruajë një kontratë kornizë me vlerë 16.5 milionë euro, me kohëzgjatje 3 vite, për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. Kjo kontratë do të paraqet rrezik serioz për ndërmarrjen rajonale “Pastrimi” që të përfundojë në falimentim”, ka thënë Sveçla.
Sipas tij, në vend që këto mjete, mbase shumë më pak se kaq, të investohen për përmirësimin e kapaciteteve teknike, gjë që do të ndikonte në rritjen e cilësisë së shërbimeve, të kësaj ndërmarrjeje publike, LDK që udhëheq me Prishtinën zgjodhi rrugën e përfitimeve për operatorët privat
“Partia në pushtet në Prishtinë po dëshmon sërish mendësinë e saj për shkatërrimin e çdo gjëje publike, në dobi të interesave private. Ne nuk mund të qëndrojmë indiferent ndaj një veprimi të tillë që dëmton interesin e përgjithshëm dhe rrezikon mirëqenien elementare për mbi 900 familje”, ka thënë ai.