December 29, 2024
emigrantet3.jpg


Marrëveshjet e reja midis Britanisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për shkatërrimin e rrjeteve të bandave që merren me trafikim emigrantësh shihen nga ekspertët si më realiste sesa ideja e qeverisë së mëparshme të Mbretërisë së Bashkuar për dërgimin e emigrantëve në Ruandë.

Qeveria e re laburiste e Britanisë nën drejtimin e Keir Starmer është zotuar të bëjë më shumë për emigracionin dhe të zvogëlojë numrin e kalimeve të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Ajo ka anuluar planin e diskutueshëm të qeverisë së mëparshme konservatore për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, por disa raportime sugjerojnë se ajo po shikon me interes marrëveshjen e Italisë për dërgimin e azilkërkuesve për t’u përpunuar në Shqipëri.

Bashkëpunimi për emigracionin u zgjerua javën e kaluar, kur Mbretëria e Bashkuar njoftoi marrëveshje të reja me tre vende të Ballkanit Perëndimor, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Serbinë.

Sipas Mbretërisë së Bashkuar, marrëveshjet e reja bazohen në përvojën e marrëveshjes së mëparshme Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar për trajtimin e emigracionit, nënshkruar në maj kur ministri i jashtëm i atëhershëm i Mbretërisë së Bashkuar David Cameron vizitoi Tiranën.

Ndërsa emigracioni i paligjshëm mbetet një prioritet i lartë për publikun në Mbretërinë e Bashkuar, të dhënat më të fundit nga agjencia kufitare e Bashkimit Evropian, Frontex, zbuluan një rënie të madhe prej 80 për qind në kalimet e parregullta përgjatë “rrugës së Ballkanit Perëndimor” gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti.

Kjo mund t’i shtojë besueshmëri planit të Laburistëve për të frenuar kalimet e paligjshme.

Megjithatë, shtrirja e marrëveshjeve të sapo nënshkruara me tre vendet e Ballkanit mbetet e paqartë. Përveç shkëmbimit të inteligjencës dhe bashkëpunimit, ka pak informacion të disponueshëm publikisht në lidhje me detajet. Zyra Punëve të Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar dhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut nuk zbuluan detaje kur iu kërkua një koment.

Kontrabandistët konsiderohen si “kërcënim serioz për sigurinë globale”

Ndryshe nga Partia Konservatore, e cila mbështeti skemën e Ruandës, Starmer është zotuar t’i bëjë gjërat ndryshe dhe në vend të kësaj të fokusohet në ndalimin e bandave që merren me trafikimin e emigrantëve dhe të prishë modelin e tyre të biznesit.

Duke folur në asamblenë e përgjithshme të Interpolit në Glasgou, Skoci, në fillim të këtij muaji, ai deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do t’i trajtojë kontrabandistët si “terroristë” dhe do të mbështetet më shumë në taktikat kundër terrorizmit.

“Kontrabanda e njerëzve duhet të shihet si një kërcënim global i sigurisë, i ngjashëm me terrorizmin. Ne duhet të kombinojmë burimet, të ndajmë inteligjencën dhe taktikat dhe ta trajtojmë një problem duke punuar së bashku për të mbyllur rrugët e kontrabandës”, tha Stamer në asamble.

Andi Hoxhaj, një pedagog në King’s College në Londër, e përshkruan qasjen e Starmer si më të moderuar se ajo e qeverisë së mëparshme konservatore. Megjithatë, ai nënvizon se politikat janë të ngjashme në thelb, pasi të dyja fokusohen në parandalimin.

Është një qasje që “funksionon në përputhje me perceptimin e votuesve se qeveria e re duhet të jetë e ashpër ndaj krimit, e kështu me radhë”, shpjegoi ai.

I pyetur për marrëveshjet e fundit me Ballkanin, Hoxhaj i konsideron ato një “fitore të lehtë diplomatike për Laburistët”, duke iu referuar hapësirës kohore relativisht të shkurtër në të cilën u përfunduan këto marrëveshje pasi Partia Laburiste fitoi zgjedhjet e përgjithshme këtë verë.

Ai thekson se punimet përgatitore kishin kohë që po vazhdonin në prapavijë. “Ka pasur tashmë bisedime në vazhdim nga qeveritë e mëparshme, kështu që nuk ishte se laburistët filluan krejt papritur nga e para, sepse ata tashmë po e diskutonin këtë gjë”, tha ai për BIRN.

Ndarja e informacioneve në qendër të marrëveshjeve të reja

Marrëveshjet me tre vendet e Ballkanit Perëndimor u njoftuan javën e kaluar në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Budapest.

Në dritën e pasojave nga Brexit, qeveria e re e Mbretërisë së Bashkuar po e bën përparësi përmirësimin e partneriteteve të sigurisë me vende të ndryshme evropiane. Marrëveshjet e sigurisë pas Brexit kanë pakësuar aksesin e Mbretërisë së Bashkuar në bazat e të dhënave dhe aftësitë jetike evropiane të shkëmbimit të inteligjencës.

Sipas Dauning Strit, mbi 100,000 emigrantë përdorën të ashtuquajturën rrugë të Ballkanit Perëndimor vitin e kaluar dhe kjo rrugë është përshkruar si një “rrugë kyçe” për ata që shohin BE-në dhe Britaninë e Madhe si ndalesa përfundimtare.

“Marrëveshjet do të rrisin shkëmbimin e inteligjencës, ekspertizës dhe bashkëpunimit për të gjurmuar bandat kriminale ndërsa ata kalojnë tranzit njerëz vulnerabël nëpër këto vende, për t’i arrestuar ata dhe për të shkatërruar modelet e tyre të punës që në burim”, thuhej në njoftimin për shtyp.

Ndarja e informacioneve është në qendër të këtyre marrëveshjeve sepse luan një rol të madh në të kuptuarit se si funksionojnë grupet e krimit, tha Magdalena Lembovska Young, një analiste e asociuar në “Sibylline” në Londër.

Ajo pret që, përveç shkëmbimit të informacioneve, fokus do të vendoset edhe në mekanizmat e integritetit dhe llogaridhënies së institucioneve të përfshira për shkak të të dhënave të tyre të mëparshme.

“Për fat të keq, në të tre vendet e Ballkanit Perëndimor ka pasur raste ku integriteti i operacioneve kundër grupeve të krimit të organizuar është cenuar. Anëtarët e tyre janë informuar, ose informacione konfidenciale kanë përfunduar në media”, vuri në dukje ajo.

Andi Hoxhaj në mënyrë të ngjashme vëren se qeveritë e mëparshme të Mbretërisë së Bashkuar shpesh e kanë parë Ballkanin Perëndimor me mosbesim dhe qeveritë e tij “si të korruptuara”. Megjithatë, ndërsa presioni u rrit mbi qeverinë e ish-kryeministrit Rishi Sunak mbi kalimet me gomone, këto qëndrime kanë ndryshuar.

Vendet e Ballkanit Perëndimor tani kanë një histori të suksesshme pune me partnerë evropianë dhe ndërkombëtarë. Që nga viti i kaluar, Maqedonia e Veriut ka pritur një mision të Frontex të BE-së, me roje dhe patrulla evropiane në kufirin e saj me Greqinë. Marrëveshje të ngjashme janë në fuqi midis Greqisë dhe Shqipërisë. Diskutimet janë në një fazë të avancuar për një mision të ngjashëm në Bosnje dhe Hercegovinë.

Bashkëpunimi i suksesshëm me agjencitë evropiane si Europol-i tregon se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë “kapacitete të caktuara për të bashkëpunuar në mënyrë efektive”, vuri në dukje Lembovska Young.

Megjithatë, dinamikat politike rajonale ende mjegullojnë bashkëpunimin e qetë rajonal dhe ndërkombëtar. Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është një shembull i kësaj.

“Kosova shpesh nuk është pjesë e forumeve të bashkëpunimit të sigurisë në nivel rajonal dhe të BE-së, gjë që pengon kapacitetin e saj për të trajtuar në mënyrë efektive emigrimin e parregullt”, tha Dani Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

“Shkëmbimi i informacionit dhe operacionet policore transnacionale janë vendimtare në luftimin e kësaj çështjeje, megjithatë Kosovës i mungon aksesi, ose shpesh është një arsye pse rajoni nuk mund të përmirësojë bashkëpunimin, për shkak të pozicionit të Serbisë për shtetësinë e Kosovës”, shtoi Ilazi.

Partneriteti me Shqipërinë vepron si precedent

Marrëveshja Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar e nënshkruar në maj, për të cilën qeveria e Mbretërisë së Bashkuar thotë se shërben si bazë për tre marrëveshjet e reja me Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Serbinë, kishte një qasje shumë më të gjerë.

Ajo përfshiu mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në polici dhe gjyqësor. Një shembull nga marrëveshjet e mëparshme midis dy vendeve përfshinte oficerët e forcave kufitare të Mbretërisë së Bashkuar që inkorporoheshin në aeroportin e Tiranës.

Hoxhaj pret që marrëveshjet e reja të vendosin baza për bashkëpunim, i cili do të zhvillohet më tej me projekte praktike dhe mbështetje.

Por ai tha se Mbretëria e Bashkuar mund të ketë marrë një qasje të veçantë me Shqipërinë, krahasuar me pjesën tjetër të rajonit, pasi ata e shohin atë si më vendimtare.

“Sipas pikëpamjes së Zyrës së Punëve të Brendshme, krimi i organizuar nga pjesët e tjera të Ballkanit Perëndimor (përveç Shqipërisë) nuk është aq aktiv në Mbretërinë e Bashkuar. Pra, këto vende shihen më shumë si vende tranzit, që luajnë një rol në elementin logjistik për sa i përket kalimeve”, tha ai.

“Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar i shohin shqiptarët si një faktor në Britaninë e Madhe, ndaj kjo është arsyeja pse marrëveshja me Shqipërinë ishte pak më e përshtatur, por kishte edhe arsye politike pas saj.”

“Në vitin 2022, kombësia më e madhe që mbërriti me gomone ishte shqiptare dhe nëse shikojmë statistikat e burgjeve të Mbretërisë së Bashkuar, shqiptarët në pesë vitet e fundit zakonisht renditen ndër tre kombësitë e para”, shtoi ai.

Teodora Kjoseva, nga Shoqata e Juristëve të Rinj Maqedonas, një organizatë e shoqërisë civile që ofron ndihmë juridike për azilkërkuesit, thotë se njerëzit në lëvizje zakonisht qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut vetëm për një periudhë të shkurtër, e cila e klasifikon vendin vetëm si pikë tranziti.

Maqedonia e Veriut ofron pak sa i përket mundësive integruese, thotë ajo. Por ajo gjithashtu thekson se ata që përdorin rrugën e Ballkanit Perëndimor rrallë përmendin Britaninë e Madhe si destinacion, me Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën në krye.

Rrezik i fuqizimit të narrativave të së djathtës ekstreme

Pavarësisht rënies së raportuar të kalimeve të parregullta të njerëzve që përdorin rrugën ballkanike për të hyrë në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar, fokusi i ripërtërirë i Britanisë mbi emigracionin ka ngjallur frikën se mund të nxisë diskurset e krahut të djathtë në planin afatgjatë.

Kur Sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braverman, në vitin 2022 i përshkroi shqiptarët që mbërrinin me gomone si një “pushtim”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e akuzoi atë për ksenofobi.

Partneriteti i ri është një hap pozitiv në drejtimin e duhur, tha Ilazi. Megjithatë, ai paralajmëron se një fokus i ripërtërirë mbi emigracionin mund të shërbejë “në një farë mase për të përjetësuar imazhin e Ballkanit Perëndimor si një zonë problematike dhe për të ndihmuar në demonizimin e emigracionit, gjë e cila nga ana tjetër ndihmon në fuqizimin e narrativave të së djathtës ekstreme”/BIRN



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *